Mourinho: Po të luanim edhe 10 orë ndaj Newcastle nuk do të shënonim

“Hyjnitë e futbollit ishin në anën e tyre”, deklaroi trajneri i Manchester Unitedit, Mourinho dukshëm i dëshpëruar nga disfata e mbrëmshme në ndeshjen e kampionatit nga Newcastle.

Trajneri i Manchester United-it, Jose Mourinho, është tejet i zhgënjyer nga disfata e djeshme në ndeshjen e kampionatit kundër Newcastle (0:1), pas së cilës, diferenca nga kreu i tabelës të Premier Ligës, rivalit të qytetit Manchester City rritet në 16 pikë.

Në ndeshjen e xhiros së 27-të, lojtarët e Mourinhos dërguan 13 gjuajtje drejt portës kundërshtare por nuk shënuan.

“Hyjnitë e futbollit ishin në anën e tyre. Edhe po të luanim 10 orë dhe jo 90 minuta kundër Newcastle nuk do të shënonim gol. Ata shënuan gol pas gabimit tonë, pastaj me jetë mbronin portën e tyre. Kjo është një mënyrë e mrekullueshme për të fituar”, tha Mourinho.

Mourinho në shtatë ndeshje si mysafir në Newcastle nuk ka arritur fitore madje edhe kur ishte trajner i Chelsea-t.

Kategoritë
Sport

Të ngjajshmet