Mohimi i krimeve ndaj shqiptarëve, trend i ri diplomacisë serbe

Zëra nga Beogradi zyrtar, me rastin e përvjetorit të bombardimeve të NATO-s, mohuan krimet ndaj shqiptarëve, ndërsa i dënuan bombardimet. Më skandaloze ishin deklaratat e disa zyrtarëve serbë në Qeverinë e Kosovës, të cilët u ndikuan nga jehona e këtyre zërave, duke shkuar aq larg sa t’i quajtur të trilluara krimet e  Reçakut. Mirëpo reagimi i Kryeministrit Haradinaj ishte i menjëhershëm, ai i shkarkoi këta zyrtarë pa menduar dy herë – shkruan Gazeta e Re.

Mbi njëqind persona janë akuzuar për krime lufte të kryera në Kosovë, kurse prej tyre vetëm 40 janë dënuar, ndërsa me dhjetëra janë arratisur – sipas disa të dhënave.

Ivan Todosjeviq dhe përpara tij Vesna Mikiq, u shkarkuan nga Kryeministri Ramush Haradinaj, për shkak të deklaratave skandaloze, nëpërmjet të cilave mohoheshin krimet ndaj shqiptarëve të Kosovës, të kryera gjatë viteve 1998,1999, 2000.

Çështja e mohimit të krimeve, ka zgjuar debat të gjerë, madje duke i tejkaluar kufijtë e Ballkanit. Çështja do të debatohet edhe në Kongresin Amerikan.

Sipas një njoftimi: “Më 31 janar 2019, Ish Presidentja Jahjaga ka takuar Kongresistin Engel, i cili njëherit është edhe kryesues i Komitetit për Punë të Jashtme në Dhomën e Përfaqësuesve në Kongresin Amerikan. Gjatë këtij takimi, Presidentja Jahjaga ia ka dorëzuar një letër Kongresistit Engel me anë të së cilës i ka kërkuar që të shqyrtohet mundësia për organizimin e një seance dëgjimore  për krimet e kryera nga aparati shtetëror i Serbisë ndaj popullates civile në Kosovë, duke përfshirë dhunën seksuale të përdorur si mjet lufte. Ajo ka theksuar se janë bërë pothuajse 20 vite nga përfundimi i luftës dhe ne ende nuk kemi asnjë person që është dënuar për këto krime.”

Pas punës dhe lobimit intensiv, është arritur që të sigurohet një datë, përkatësisht një pajtim, që seanca të mbahet me 30 prill.

Nga ana tjetër, Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR), Fondi për të Drejtën Humanitare dhe Gratë në të Zeza, kanë treguar që ndërgjegjja e serbëve, megjithatë, nuk ka vdekur. Organizatat në fjalë, kanë kërkuar llogari nga shteti serb, përkatësisht kanë kërkuar që të zbardhet e vërteta për personat e zhdukur gjatë luftës.

“Zyrtarë politikë e ushtarakë serbë janë përballur me drejtësinë në Gjykatën e Hagës, për krimet e kryera nga forcat serbe në Kosovë. Por, brenda në Kosovë gjykimet e krimeve të luftës kanë qenë përgjegjësi vetëm e misioneve të ndryshme të vendosura këtu dhe në përgjithësi nuk ka pasur gjykimeve për shumicën e masakrave të kryera nga forcat serbe…” – thotë ndër të tjera Arben Idrizi, në kolumnen e tij me titull: ‘Mohuesit e Krimit’.

Megjithatë, ekziston një perceptim që për disa nga krimet e kryera, është dashur të përgatitet edhe opinioni publik, meqë disa nga temat janë konsideruar tabu.

“Për viktimat që u atakuan në krim ndaj njerëzimit, sepse kështu quhet krimi skesual ndaj grave të një kombi, ka qenë një tabu për neve kjo temë, dhe nuk është fol gjatë, aq më tepër që gratë nuk kanë qenë në gjendje të flasin. Por, edhe për arsye se institucionet shtetërore nuk ishin përgatitur, dhe as opinioni që ta pranoj këtë krim ashtu si ka ndodhur” – ka thënë së fundi deputetja e PDK-së Flora Brovina. Në një intervistë të dhënë së fundi për portalin Telegrafi, ajo ka thënë se i ka evidentuar rreth njëmijë raste të dhunimeve ndaj grave gjatë luftës, për të cilat ka ardhur koha të flitet më tepër. Ajo e ka siguruar opinionin e gjerë që nesër mund të bëhet dëshmitare, në qoftë e nevojshme, për t’i vërtetuar krimet e kryera ndaj grave shqiptare. Përsëritjes së mohimeve të krimeve ndaj shqiptarëve nga zyrtarët serbë ka nisur në kuadër të një fushate diplomatike mjaft të sofistikuar. E sipas shumë opinionistëve, asaj duhet t’i bëjmë ballë me një kundër-narrativë të argumentuar. Dëshmi për këtë, ka mjaft./Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet