Mirënjohja, kjo cilësi profetësh!

Nga: Pranvera Nevzadi

Nuk dua të tregoj se sa vështirë është të ngrihesh nga shtrati në mëngjes, as sa vështirë është të ikësh deri në tualet për t’i pastruar dhëmbët. Madje, as sa vështirë është të fillosh një ditë të re pa pasur idenë se çka do të bësh.

Dua vetëm të fokusohem në faktin se sa lehtë do ta kishim sikur të fillojmë të mendojmë ndryshe.

Le të fillojmë të mendojmë ndryshe.

Kur zgjohemi në mëngjes dhe e gjejmë veten duke marrë frymë pa pasur nevojë t’ia kushtojmë mundin dhe kohën tonë, e as pa përdorur ndonjë aparaturë ndihmëse, padyshim, kjo është begati (sepse, sikur frymëmarrja jonë të varej nga ne, çfarë do të ndodhte kur të kishim fjetur?!) .

Shkojmë deri tek kutia e kafes me këmbët tona dhe e bëjmë një kafe për veten me duart tona e sytë tanë, kjo është begati. Le ta shohim depresionin nga ana tjetër për një çast. Le të shohim përtej tij.

Gjithmonë mund t’i numërojmë problemet, e ato mund të jenë të shumta, por kurrë nuk mund t’i numërojmë begatitë, sepse ato janë me të vërtetë të panumërta. Kjo assesi nuk do të thotë se duhet mohuar dhimbjet e shpirtit. Duhet pranuar atë, por gjithashtu nuk duhet mohuar as begatitë që të janë dhuruar.

Këto dy anë duhet t’i balancojmë. Jeta është sikur fruti që na jepet i tëri, i plotë, me lëvozhgat dhe farat e tij, por ne i largojmë lëvozhgat dhe mbeturinat tjera dhe e shijojmë pjesën tjetër të frutit. Le të fokusohemi te pjesa e shijshme e frutit dhe të mos qajmë kokën për farat dhe lëvozhgat! Thjesht le t’i hedhim tutje.

Vazhdimisht duhet t’i flasim vetes për gjërat e mira qe i kemi, dhe ato do të na shtohen. Pra, të fillojmë të themi “Faleminderit Zot, për gjërat qe m’i ke dhënë”, dhe Zoti do të na japë edhe ato që nuk i kemi. Ato do të shtohen.

Mirënjohja është një formulë. Ka një rregull. Kur ti je mirënjohës për atë që posedon është ligj i Zotit ta shtojë atë që je duke e kërkuar. Është rehatia më efektive shpirtërore që të qetëson aty për aty. Pra, thuaji vetes qoftë edhe për një ditë të vetme. Sot nuk do të qaj, sot nuk do të trishtohem, sot nuk do të sorollatem në rrjetet sociale duke parë fotografi të njerezve tjerë që shpërndajnë lumturi të rreme. Sot do të kënaqem me çdo gjë që kam në jetën time, dhe në fund të ditës do të them: “Faleminderit o Zot, kjo ishte një ditë e mrekullueshme”! Secili njeri ka fuqi me të cilën brenda vetes i largojë vranësirat në qiell dhe ta ndezë diellin me buzqëshjen e tij.

Kur ti je në luftë me vuajtjen ajo mundohet të ta ulë moralin duke të fyer, duke t’i vënë në pah të metat, duke t’i kujtuar gabimet, të përqesh duke ta kujtuar bile edhe ndonjë fjalë pa rëndësi që e ke thënë e askush nuk e kujton. Kurse ty të mbushet fytyra me gjak dhe e humb toruan. Jo! Luaj me të njëjtën mënyrë, kujtoja asaj se jeta jote është vërtet një begati, ti ke prindër për të cilët je mirënjohës, ke shoqëri, fëmijë e familje, ke me çka e mbush barkun dhe ke ku e fut kokën. Kujtoja vuajtjes këto kur je në luftë me të. Mos e lër të të godasë derisa ti ngrit duart për ta mbrojtur kokën e të thuash: “mirë, mirë, do të strukem këtu në këtë qoshe të shtratit dhe do të qaj”. Le të përballemi me dinjitet. Ne mund t’i themi depresionit: po, ti je këtu, ekziston, por unë mund të të kontrolloj. Unë të kam në dorë. Ti s’më mund dot mua. Sepse unë kam shumë gjëra në jetën time për të cilat jam mirënjohës. Sepse ka edhe gjëra që janë duke shkuar mirë në realitet, edhe pse depresioni të bën të shohësh vetëm gjërat që shkojnë keq dhe ters.

Le ta kujtojmë çdo ditë: Nëse ishim një herë të lumtur, mund të jemi përsëri! Por nëse nuk ishim asnjëherë, gjithmonë ekziston hera e parë. E nëse askush nuk na dhuron lumturi, le ta krijojmë vet. Le të jemi mirënjohës, sepse për çdo ditë po na jepet diçka e re.

Kategoritë
Kulturë

Të ngjajshmet