Ministrja Haradinaj-Stublla udhëtoi për vizitë zyrtare në Turqi

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Meliza Haradinaj – Stublla, ka udhëtuar për vizitë zyrtare në Turqi, me ftesë të homologut të saj, Mevlüt Çavuşoğlu.

Gjatë kësaj vizite, ministrja Haradinaj-Stublla dhe ministri i Jashtëm i Turqisë, Çavuşoğlu, do të diskutojnë për zhvillimet rajonale dhe ndërkombëtare.

Para nisjes së kësaj vizite, ministrja Haradinaj-Stublla ka vlerësuar mbështetjen e Turqisë për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtarë të Kosovës, mbështetjen e vazhdueshme dhe shumë dimensionale që ka dhënë për Kosovën, në të gjitha etapat e rëndësishme.

“Ne si shtet i ri jemi të përkushtuar që njohjet tona ndërkombëtare të shtohen, dhe të fuqizohet subjektiviteti ynë ndërkombëtarë. Në këtë drejtim do të kërkoj në vazhdimësi mbështetje dhe mirëkuptim të thellë të miqve tanë me të cilët kemi ndërtuar ura të qëndrueshme bashkëpunimi, dhe raporte të pathyeshme, dhe këtu Turqia zë vend të veçantë”, u shpreh me rastin e kësaj vizite Ministrja Haradinaj-Stublla.

Sipas njoftimit të MPJD-së, gjatë vizitës do të adresohen të gjitha aspektet e marrëdhënieve tona dypalshe, duke përfshirë bashkëpunimin anti-covid, si dhe çështjet e interesit të përbashkët rajonal dhe ndërkombëtarë.

Kategoritë
LajmeVendi