Ministria e Pal Lekajt blen këmisha e këpucë për stafin në vlerë 26 mijë euro

150 kostume për meshkuj e femra super të shtrenjta, këmisha e këpucë të lëkurës, ka porositur Ministria e Infrastrukturës për stafin e saj.

Tenderi “Furnizim me rroba elegante”, i kësaj ministrie do t’i kushtojë taksapaguesve kosovarë plot 26 mijë e 475 euro.

Sipas dosjes së tenderit shihet se bëhet fjalë për garderobë shumë të shtrenjtë. Kështu 150 komplete do të jenë të materialit “cotton”, që i përket materialit të shtrenjtë.

Po ashtu janë porositur këpucë të lëkurës e këmisha.

Në dosjen e tenderit nuk përmendet se kujt prej stafit do t’i përkasin këto rroba.

“Qëllimi i kontratës është që të përcaktohen kushtet që rregullojnë dërgesat e mallrave te shënuara me poshtë: Furnizim me rroba elegante. Qëllimi i Autoritetit Kontraktues është të lidhë një kontratë publike kornizë me një operator ekonomik. Prandaj urdhërat do të vendoset sa herë që të shfaqet nevoja”, thuhet në dosjen e tenderit, shkruan Buletini Ekonomik.

Ndërkaq, kompania fituese është “Melodia” Sh.p.k, derisa kontrata është nënshkruar me 7 tetor.

Këto shpenzime luksi po bëhen në kohën kur pritet konstituimi i Qeverisë së re.

Shoqëria civile disa herë ka kërkuar që në këtë fazë organizatat buxhetore të përmbahen me shpenzime luksi.

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi

Të ngjajshmet