Ministri i Shëndetësisë nuk jep datë për revidimin e listës esenciale të barnave

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili para deputetëve në Komisionin për Shëndetësi ka thënë se revidimi i listës esenciale të barnave është në fazën përfundimtare, pasi sipas tij këto ditë e kanë dërguar draftin final tek Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Ismaili gjatë raportimit tregoi se e kanë ndërprerë kontratën e furnizimit të infuzioneve me kompaninë serbe dhe se tash kanë kontraktuar një kompani gjermane.

Ministri Ismaili në raportimin para deputetëve gjatë gjithë kohës ka arsyetuar vonesat në realizimin e revidimit të listës esenciale të barnave. Ndërkaq, ishte këmbëngulës në idetë e tij që në këtë listë të futen barna për sëmundje të rralla, por nuk ishte konkret se për cilat sëmundje bëhet fjalë.

Ismaili: E kemi dorëzuar draftin final në OBSH

“Ne e kemi dorëzuar draftin final në OBSH. Presim konfirmimin nga ana e tyre. Duhet ta kuptojmë që arsyeja që nuk ka ndodhur në maj është se OBSH-ja e ka nxjerr listën e tyre esenciale në këtë muaj dhe ata kanë qenë të involvuar me listën e tyre esenciale. Sepse lista e tyre esenciale më pastaj është model global për të gjithë. I kemi eliminuar interpretimet e gabueshme të specifikacioneve të produkteve të cilat na kanë nxjerr shumë probleme në kontraktim. Psh ka pasur produkt që është specifikuar që askush nuk e prodhon në botë dhe fute sa duash në tender por nuk merr asnjë ofertë. Pastaj kemi arrit që produktet dhe kjo ka qenë kërkesë e OBSH-së që produktet që ne i paraqesim në listën esenciale mos të jenë të ngjashme një kompanie ose dy kompani. Por të kenë mundësi që të zhvillohet konkurrenca e lirë.. Unë e kam një premtim publik, po e jap prapë, po mendoj që është premtim i gjithë neve, besoj që të gjithë do të angazhoheni që të kemi barna për sëmundje të rralla. Janë disa barna për sëmundje të rralla nuk mundem ende të jap specifika sepse ende është në punë ajo”, tha ai.

Ministri Ismaili foli edhe për tema të tjera, në lidhje me mungesën e barnave, për të cilat tha se kjo ka ndodhur për shkak të mungesës së ofertave nga kompanitë e ndryshme. Për këtë, ai bëri të ditur se kanë arritur marrëveshje me UNICEF-in për të zgjidhur këtë problem.

Në lidhje me investimin në pajisje, Ismaili tha se ka pasur mungesë, mirëpo theksoi se do të ketë investime rreth 4.2 milionë euro.

Në lidhje me Ligjin e Sigurimeve Shëndetësore, ministri i Shëndetësisë u shpreh se ka pas takime me ndërkombëtarë për t’i parë format se si duhet gjetur një zgjidhje për këtë, për të mos u zhytur në borxhe.

Sipas tij duhet marrë parasysh modelin gjerman të sigurimeve shëndetësore.

Sa i përket furnizimit me infuzione nga Serbia, ministri tha se ajo kontratë është shkëputur dhe se tash po furnizohen nga një kompani gjermane.

Ismaili: Sot në QKUK kemi infuzione prej një kompanie gjermane

“Ajo kontratë është shkëputur për shkak se kontraktori nuk ka mundur t’i kryejë obligimet që ka thanë se mundet t’i kryejë. SHSKUK ka hapur një kontratë të re ka bërë një lidhje me një kompani gjermane. Sot në QKUK kemi infuzione prej një kompanie gjermane”, tha Ismaili.

Për gjitha këto deklarata të ministrit, kritik u shpreh deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli, i cili tha se për të gjitha këto vonesa dhe mos realizim të këtyre projekteve fajtor është Ministria e Shëndetësisë.

Pasi sipas tij, ministri po e largon përgjegjësinë prej vetes dhe po arsyetohet me konsulencat, apo palët e treta.

Avdyli: Çfarë Ministrie kemi, a ka përgjegjësi Ministria e Shëndetësisë për mos realizmin e këtyre projekteve

“ Në asnjë pikë të vonesave të cilat na parashtroi sot nuk është përgjegjës ai dhe Ministria e Shëndetësisë. Vonesat për hartimin e listës esenciale i ka fajet OBSH-ja, vonesat për mosfurnizimin e mirë me barnat i ka fajet QKUK-ja. Vonesat për sigurime shëndetësore i kanë fajet gjermanët, vonesat për formimin. Çfarë Ministrie të Shëndetësisë kemi, a ka përgjegjësi Ministria e Shëndetësisë për mos realizmin e këtyre projekteve”, u shpreh deputeti Avdyli.

Ndërkaq deputetja e VV-së, Fatmire Kollçaku tha se ministri duhet të ketë më shumë përgjegjësi dhe të interesohet tek kompanitë private të sigurimit shëndetësor.

Kollçaku: Po më habit fakti që lejohet që të operojnë kompani private të sigurimit shëndetësor në Kosovë

“Po më habit fakti që lejohet që të operojnë kompani private të sigurimit shëndetësor në Kosovë që ofrojnë oferta shumë të mira deri në 50 mijë euro mbulesë. Por nëse një pacient nuk e ka fatin të vdes brenda vitit, sikur sëmuret dhe nuk vdes e ka fatin që t’i ndërprerët kontrata ose nuk i vazhdohet. Po kërkoj nga ju që të interesoni si ministër i Shëndetësisë”, deklaroi ajo.

Gjatë raportimit të ministrit Ismaili, edhe deputetë tjerë të partive politike shprehën qëndrimet e tyre sa i përket gjendjes në shëndetësi.

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu u interesua për sportistët, për të cilët tha se ata nuk duhet të futen në listën e pritjes si pacientët e tjerë në rastet e intervenimeve.

Ndërkaq, deputetja e VV-së, Drita Millaku shprehu kritika rreth disa pajisjeve dhe mungesën e stafit në reparte të ndryshme. Kurse, ai nga radhët e LDK-së, Naser Osmani tha se duhet të ketë fokusim më të madh tek Ligji për Transplantimin e Indeve dhe Organeve, pasi konsideron se ka mundësi që këto transplantime të bëhen me participim.

Kategoritë
LajmeVendi

Të ngjajshmet