Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Gent Cakaj vizitë në Maqedoninë e Veriut

“Tani, si anëtare e 30-të e plotë e NATO-s, ne jemi aleatë me Shqipërinë, që është një moment vendimtar për krijimin e parashikueshmërisë së sigurisë, politike dhe ekonomike jo vetëm midis dy vendeve, por edhe në rajon”, tha Osmani

Ministri në detyrë për Evropë dhe Punë të Jashtme i Shqipërisë, Gent Cakaj, në kuadër të vizitës zyrtare në Maqedoninë e Veriut u takua me Ministrin e Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, raporton Anadolu Agency (AA).

Cakaj u prit nga ana e Osmanit para ndërtesës së MPJ-së në Shkup. Osmani dhe Cakaj mbajtën takim tet-a-tet, sipas të cilës vijoi konferenca e tyre e përbashkët.

Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Osmani, theksoi se ata u takuan me Cakajn për herë të parë në Bruksel në vitin 2018 kur ata drejtuan dy delegacionet shtetërore së bashku, siç tha ai, në skreningun shpjegues me BE-në, dhe se që atëherë kanë filluar të punojnë së bashku për marrjen e vendimit për fillimin e negociatave që ndodhën në samitin në Zagreb.

Sipas Osmanit, tani ata kanë një sfidë shtesë për ta vënë në veprim këtë vendim, gjegjësisht, tha ai, për të operacionalizuar këtë vendim të Këshillit Evropian dhe se kjo ishte një nga temat e takimit të sotëm me ministrin Cakaj.

“Përfitova nga rasti të falënderoj Republikën e Shqipërisë për mbështetjen që i ka dhënë Republikës së Maqedonisë së Veriut për anëtarësimin në NATO. Tani, si anëtare e 30-të e plotë e NATO-s, ne jemi aleatë me Shqipërinë, që është një moment vendimtar për krijimin e parashikueshmërisë së sigurisë, politike dhe ekonomike jo vetëm midis dy vendeve, por edhe në rajon”, tha Osmani.

Ai tha se në lidhje me marrëdhëniet dypalëshe, në takim ata arritën në përfundimin se nuk ka çështje të hapura politike midis dy vendeve.

Osmani informoi se me Cakaj diskutuan për çështje rajonale dhe sfida rajonale, siç është bashkëpunimi ekonomik, i cili sipas tij duhet të intensifikohet në periudhën e ardhshme.

“Së bashku konstatuam se duhet të krijojmë mekanizma për monitorimin e marrëveshjeve që janë nënshkruar edhe në kuadër të takimit ndërqeveritar midis dy shteteve, por edhe përmes intensifikimit konkret të dinamikës së kontakteve dhe bashkëpunimit dhe këto marrëdhënie të shkëlqyeshme që i kemi me Republikën e Shqipërisë t’i konkretizojmë në projekte konkrete në interes të qytetarëve”, shtoi Osmani.

Ai tha se vizita e ministrit Cakaj në Maqedoninë e Veriut është një mesazh i afërsisë dhe miqësisë.

Cakaj theksoi se marrëdhëniet midis dy vendeve janë të rrënjosura në trashëgiminë e përbashkët historike.

“Vizita ime në Shkup është shprehje e përkushtimit tonë të thellë për zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit bilateral, për bisedimin e disa çështjeve lidhur me sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanin Perëndimor dhe natyrisht që së bashku të mendojmë për një seri procesesh të nevojshme për të përshpejtuar anëtarësimin e të dy vendeve në Bashkimin Evropian”, tha Cakaj.

Ai theksoi se nuk mund ta fshehte kënaqësinë e tij të thellë që erdhi sot në Shkup për një arsye të dyfishtë.

“Së pari, unë erdha këtu menjëherë pas emërimit të një qeverie pro-perëndimore, e cila ka një vizion të qartë për anëtarësimin e vendit në BE, duke ruajtur tre marrëveshjet që janë mjaft të vlefshme për cilësinë e marrëdhënieve ndëretnike në Maqedoninë e Veriut por edhe për rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së”, gjegjësisht Marrëveshja e Ohrit, Marrëveshja e Prespës dhe Marrëveshja e Fqinjësisë së Mirë me Bullgarinë”, tha Cakaj, duke shtuar:

“Por, nga ana tjetër nuk e fsheh kënaqësinë time që miku im zotëri Osmani është shqiptari i parë që udhëheq diplomacinë e Maqedonisë së Veriut. Ky nuk është një element që është në shërbim të forcimit të faktorit shqiptar, por realisht është kontribut i vlefshëm edhe në rrugën për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në BE”, tha ai.

Cakaj theksoi se me Osmanin diskutuan çështje të ndryshme për ruajtjen e momentumit pozitiv dhe bashkëpunimit midis dy vendeve, si dhe marrëdhëniet e shkëlqyera midis këtyre vendeve dhe ngjarjeve politike në rajon, veçanërisht dialogun midis Kosovës dhe Serbisë.

“Për Republikën e Shqipërisë, dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të përfundojë jo më pak se njohja reciproke. Dua ta shpreh qartë. Po ashtu diskutuam rëndësinë e intensifikimit të angazhimit tonë të përbashkët për të çuar më tej procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE)”, tha Cakaj, duke shtuar se hapja e bisedimeve të anëtarësimit është një vendim historik për të dy vendet.

Ai tha se janë dakorduar të krijojnë një sekretariat teknik që do të ishte një garantues institucional i zbatimit të të gjitha marrëveshjeve midis dy vendeve.

Sipas njoftimit, Cakaj në kuadër të vizitës në vend pritet të zhvillojë takime edhe me përfaqësues të lartë të Maqedonisë së Veriut.

Kategoritë
LajmeRajoni

Të ngjajshmet