Ministri Gashi: Në vitin 2018, 2 milion euro për rivitalizimin e Qendrës historike të Prizrenit

Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka vizituar të enjten disa objekte të trashëgimisë kulturore, në të cilat me mjete të Ministrisë nga  Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Prizrenbjanë kryer e në disa të tjera  po kryhen punimet reasturuese-konservuese .

Ministri Gashi tha gjatë kësaj vizite se po i viziton shtëpitë e vjetra dhe disa projekte të tjera që janë realizuar nga QRTK, me mjetet financiare që i ka ndarë Ministria e Kulturës.

“Jemi te familja Pomak. Për mua është kënaqësi e veçantë që po fillojmë vizitën nga kjo familje dhe natyrisht do t’i vizitojmë edhe disa projekte që janë realizuar këtë vit dhe disa në të cilat po vazhdojnë punimet”.

Punimet janë kryer nga Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore, për të cilën ministri Gashi premtoi përkrahje edhe ë vitet e ardhshme.

“Në të njëjtën kohë, jemi këtu për t’u zotuar se MKRS do të ketë prioritet të veçantë trashëgiminë kulturore, me theks të veçantë në qytetin e Prizrenit. Ne për vitin e ardhshëm kemi ndarë 2 milion euro për rivitalizimin e Qendrës historike të Prizrenit dhe i kemi disa projekte konkrete për intervenim në qendrën historike. Po ashtu do të mundohemi  që të gjitha këto shtëpitë e vjetra ti restaurojmë dhe ta kemi një trashëgimi të pasur. Të gjitha këto do t’i kthejmë në të mirë të zhvillimit të turizmit dhe zhvillimit ekonomik.

Ministri falënderoi stafin e QRTK-së për një punë të shkëlqyeshme dhe premtoi  mbështetjen e MKRS për të gjitha projektet që kanë filluar dhe ato që planifikohen. “Edhe për vitet e ardhshme kemi paraparë mjete për trashëgiminë e Prizrenit, dhe këto investime dhe kjo përkujdesje do të jetë e vazhdueshme” tha ministri Gashi.

Mikpritësja Zana Mustafa tha se kjo shtëpi është trashëgimi me vlerë.

“Kjo shtëpi është tipike shqiptare dhe është trashëgimi kulturore shumë e vlefshme. Falënderojmë shumë ministrinë dhe QRTK-në që na kanë ndihmuar në restaurimin e kulmit që ishte amortizuar mjaftë” tha Mustafa.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore në Prizren Jusuf  Xhibo tha se në këtë shtëpi janë kryer intervenimet emergjente me karakter shpëtimi.

“Edhe kjo shtëpi ka përfituar prej masave emergjente. Kemi bërë restaurimin e kulmit dhe besojmë se viteve të tjera do të mund të ndërhyjmë edhe në pjesët tjera të shtëpisë pasi ka shumë nevojë” tha Xibo.

Sa i përket vjetërsisë së shtëpisë, Xhibo tha se gjatë matjeve ka qenë e mundur të identifikohet se është e shekullit 18, por ndonjë sundim më i thellë mund të dëshmojë nëse është më e vjetër apo më e re.

“Sipas stilit të ndërtimit duket se është e shekullit 18” thekosi ai.

Ministri Gashi vizitoi edhe objektin e Hamamit të Gazi Mehmet Pashës,  Kompleksin e familjes Drini dhe shtëpinë e familjes Alili ku po realizohen punime restauruese – konservuese si dhe vizitoi edhe  dy trafostacioneve e vjetra,  Xhaminë e Myderiz Ali Efendisë; dhe shtëpinë e familjes Zhoriq në të cilat janë kryer punimet restauruese – konservuese./R.Berisha/Gazetaere.com/

Kategoritë
KulturëLajme

Të ngjajshmet