Ministri estonez jep dorëheqjen pas vërejtjeve kundër Biden-it

Ministri i Brendshëm estonez, Mart Helme, tha se rezultatet e zgjedhjeve amerikane janë “falsifikuar” dhe se Joe Biden dhe djali i tij Hunter Biden janë “personazhe të korruptuara”

Ministri i Punëve të Brendshme të Estonisë, Mart Helme, njoftoi sot dorëheqjen pas komenteve të tij të diskutueshme në lidhje me zgjedhjet presidenciale në SHBA dhe presidentit të zgjedhur, Joe Biden, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Duke parë shpifjet dhe gënjeshtrat e prodhuara nga mediat estoneze, vendosa të jap dorëheqjen mbrëmë. Jam lodhur. Nuk bëra dje asgjë që do të rrezikonte sigurinë e Estonisë”, citohet të ketë thënë Helme nga transmetuesi publik ERR.

“Unë nuk kam thënë asgjë që nuk është thënë tashmë nga mediat amerikane, mediat e lira amerikane”, shtoi ai.

Helme më herët kishte thënë se rezultatet e zgjedhjeve amerikane janë “falsifikuar” dhe se Joe Biden dhe djali i tij Hunter Biden janë “personazhe të korruptuara”.

“Logjika në të cilën funksionon shteti i thellë është të kontrabandoni personazhe të korruptuara që mund të shantazhohen. Joe Biden dhe Hunter Biden janë personazhe të korruptuara”, tha Helme, duke shtuar se Biden zgjidhet nga “shteti i thellë”.

Djali i ministrit të dorëhequr Helme, Martin, gjithashtu u pajtua me komentet e babait të tij. Martin Helme është ministër i Financave në Estoni, por ERR raportoi se ai do të vazhdojë të mbajë këtë post.

Helme është bashkëthemelues i Partisë Popullore Konservatore të Estonisë (EKRE). Ai kryesoi partinë nga 13 prill 2013 deri më 4 korrik 2020 dhe u pasua nga djali i tij.

EKRE doli si partia e tretë më e madhe në zgjedhjet e vitit 2019 në Estoni.

Kryeministri estonez Juri Ratas, në një deklaratë të bërë dje, tha: “Kritika e ashpër e zgjedhjeve në SHBA bazuar në informacione dhe lajme të rreme nuk është e përshtatshme për ministrat e Republikës së Estonisë”.

“Komentet e Mart Helme dhe Martin Helme në lidhje me zgjedhjet në SHBA nuk janë të besueshme, madje janë absurde. Anëtarët e qeverisë estoneze duhet të jenë në gjendje të qëndrojnë të ekuilibruar kur komentojnë mbi politikën e brendshme të aleatit tonë më të madh. Mart dhe Martin Helme duhet të ndalojnë menjëherë rrezikimin e marrëdhënieve midis Estonisë dhe SHBA-së”, theksoi Ratas.

Demokrati Joe Biden mundi republikanin Donald Trump në garën presidenciale, pasi sipas parashikimeve, mori 290 vota elektorale. Që të shpallet fitues i zgjedhjeve presidenciale në SHBA, një kandidati i nevojiten 270 vota elektorale.

Kategoritë
BotaLajme