“Ministri Endrit Shala dhe djali i Fatmir Limajt, 5 mijë € pije në një diskotekë në Gjermani”

Ministri në detyrë i Tregtisë, Endrit Shala dhe Durim Limaj djali i Fatmir Limaj kanë porositur pije vetëm për një natë që pretendohet se e kap shifrën e 5000 eurove në një diskotekë në Gjermani.

Në anën tjetër Durim Limaj është kampion për nga shpenzimet e bëra në udhëtime jashtë vendit, krahasuar me anëtarët e tjerë të stafit politik në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë. Me harxhime ia ka kaluar edhe secilit prej dy ministrave që gjatë gjysmë mandatit kanë drejtuar këtë dikaster qeveritar, shkruan ekonomia-sot.

Bazuar në një pasqyrë shpenzimesh që Ministria ia ka siguruar “Kohës Ditore” pas një kërkese për qasje në dokumente publike, për më pak se dy vjet, vizitat e Limajt jashtë vendit i kanë kushtuar buxhetit të shtetit rreth 30 mijë euro – 15.001.32 euro në vitin 2018, ndërsa sivjet edhe 14.057.25 euro të tjera. Pjesë e madhe e kësaj shume është shpenzuar për t’u ushqyer gjatë këtyre vizitave – fiks 8.798.83 euro.

Durim Limaj është këshilltar i lartë politik dhe shef i kabinetit të ministrit në detyrë të MTI-së, Endrit Shala. Ai është djali i zëvendëskryeministrit në detyrë, Fatmir Limaj, i cili e drejton Nismën Socialdemokrate. Ky subjekt politik ishte pjesë e koalicionit që ka ndërtuar Qeverinë në ikje, ndërsa rezultatet preliminare të zgjedhjeve të parakohshme të 6 tetorit tregojnë se e ka në rrezik ta mbërrijë pragun prej 5 për qind të votave, ndonëse kishte garuar në zgjedhje në koalicion me Aleancën Kosova e Re.

Në këtë gjysmëmandat, njerëz të Nismës kanë drejtuar Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, ku prej gati dy vjetësh është këshilltar i lartë politik Durim Limaj. Gazeta ka adresuar pyetje tek ai në lidhje me shpenzimet e bëra, por gjatë ditës ka munguar përgjigjja.

Kategoritë
LajmeVendi