Ministër Kujtim Gashi, kush je ti?

Pjesë e kabinetit qeveritar të kryeministrit të sapozgjedhur Ramush Haradinaj është edhe Kujtim Gashi, i caktuar për të udhëhequr me Ministrinë e Kulturës, Rinisë e Sporteve.

Gashi mbante detyrën e kryesuesit të Kuvendit Komunal të Prizrenit, ndërsa më parë kishte udhëhequr Departamentin e Kulturës në këtë komunë, mjaftueshëm kjo që sipas Partisë Demokratike të Kosovës të cilësohet si njeri me “përvojë në këtë fushë”.

Por, emrin e tij për herë të parë e ka dëgjuar atëherë kur është bërë e ditur përbërja e qeverisë së re, shkrimtari Gëzim Aliu, i cili tha se nuk e njeh Kujtim Gashin, por pavarësisht të gjithave, sipas tij, kushdoqoftë ministër i Kulturës duhet të ketë ndjesi ndaj institucionit që drejton.

”Rëndësi ka sidomos niveli i ndjeshmërisë së tij dhe institucionit që do ta drejtojë ai ndaj zhvillimit të kulturës në Kosovë. Të jesh ministër i Kulturës, nuk do të thotë domosdoshmërish të jesh artist, por, të jesh ministër i Kulturës dhe të mos kesh kurrfarë emocioni ndaj kulturës, kjo nuk shkon. I uroj pra punë të mbarë dhe emocione kulturore në karrigen ku do të ulet”, tha Aliu.

Pa dashur të paragjykoj, editori i SH.B. “Buzuku”, Abdullah Zeneli thekson faktin se emërimet nëpër poste janë zakonisht politike, partiake deri edhe nepotiste, si në rastin e kulturës.

”Koincidencë që edhe sekretari fuqiplotë i kulturës është nga Prizreni. Ministri i përparshëm, i cili të paktën ishte njeri i letrave dhe me formim, më shumë u mor me marketing sesa për të çuar kulturën e sportin përpara. Shtet pa një stadium për kombëtaren! Por, të gjitha edhe mund të “arsyetohen” pos faktit se buxheti që i ndahet Kulturës po del të jetë një përrallë me mbret!”, deklaroi Zeneli.

“Prej kësaj strukture që i thonë Qeveri e që u krijua pas plot trysnive, shantazheve e pazareve politike mbi deputetët e caktuar”, fotografi Fahredin Spahija thotë se nuk pret asgjë të hajrit.

“Prej kryeministrit e deri te ministri i fundit shoh vetëm persona që i shërbejnë interesit personal dhe padronëve të tyre politik e jo ndonjë profesionist i cili ka me ju qasë seriozisht problematikave me të cilat duhet të merren ministritë e shumta të këtij vendi”, thotë Spahija.

Për ministrin e Kulturës, të cilin sipas Spahisë, nuk e njeh askush jashtë Prizrenit, emërimi i të cilit “vjen nga PDK që njihet si parti që në poste ministrore vendos çdo herë militant partiak”, Spahija thotë se nuk ka ndonjë informacion përveç atyre që këto dy-tri ditë i ka lexuar në portale e që sipas tij, nuk janë aspak afirmative për Gashin.

Ai gjithashtu e ka cilësuar si veprim absurd bartjen e kësaj ministrie në qytetin e Prizrenit.

”Rrëfimi që e ka përcjellë këtë emërim lidhet edhe me transferin e një pjesë të kësaj Ministrie në Prizren apo konkretisht krijimin e zyrës së Ministrit “afër shtëpisë së tij”, shënon një precedent në politikën kosovare të pasluftës dhe për mua një veprim i tillë është krejtësisht absurd sepse zhvillimet më të mëdha kulturore dhe sportive ndodhin në kryeqendrën e Kosovës e jo në periferi”, theksoi Spahija, duke shuar se ministri i sapozgjedhur duke qenë larg këtyre ndodhive s’do ta ketë idenë se çka po ndodhë me kulturën dhe sportin e këtij vendi dhe cilat janë nevojat për zhvillimin e këtyre departamenteve.

“Uroj që ky ministër nuk do ta përsëris praktikën e ish-ministrit të Kulturës, Memli Krasniqi i cili në mandatin e tij përdori ‘fshesën’ politike nëpër institucionet e Kulturës duke larguar prej aty udhëheqësit qe nuk i shkonin për shtati e duke i zëvendësuar ata me drejtor të dëgjueshëm e që shkonin në vijë politike me të!” , tha Spahija.

Por, se a do të zhvendoset në Prizren apo jo, një pjesë e kësaj ministrie nuk e sheh fort problematike drejtori ekzekutiv i DokuFestit, Eroll Bilibani.

”Pavarësisht asaj çka ndodh me lokacionin e ministrisë, mendoj qe problemi i MKRS nuk është te lokacioni. Po frikohem që kjo mundet me qenë një lëvizje taktike/politike për me u pozicionu më mirë për zgjedhjet lokale në Prizren”, tha Bilibani për Gazetën Observer, duke u shprehur i brengosur edhe për koston finansiare të transferimit të kësaj ministrie.

“Kosova është nje shtet i varfër dhe të gjitha dikasteret e ministrisë (kultura, sporti, rinia) vuajnë nga mungesa e buxhetit. Ekipet tona sportive po duhet me i luajt ndeshjet ndërkombëtare jashtë Kosovës për shkak të mungesës së terreneve adekuate. Personalisht mendoj që një hap i tillë për momentin nuk është i menduar mirë. Thjesht, do të kisha pasur dëshirë me e pa një plan program të Ministrisë që është paraparë për këtë mandat”, theksoi Bilibani.

Regjisori Ismet Sijarina tha se i duket herët të flas për ministrin Gashi, pasi, sikurse edhe gjithë të tjerët, nuk ka ndonjë informacion rreth angazhimeve të tija paraprake, ndërsa çështjen e zhvendosjes e ministrisë në Prizren, ai e mendon si një lloj përputhje me idenë e një Prizreni si kryeqytet kulturor e që sipas tij ky qytet e gëzon edhe pa bartje ministrishë. Ndërsa, për koston e transportit dhe shërbimeve tjera, Sijarina uron që të sigurohet nga burime tjera e të mos e ngarkoj buxhetin e ministrisë.

Ndërkaq, regjisori Fatos Berisha edhe pse nuk e njeh ministrin Gashi duket më optimist.

”Nuk e njoh ministrin e ri. Por, fakti që në ditët e para të marrjes së detyrës takohet me bordin e RRIPAK tregon për qasjen e tij pozitive ndaj kulturës së pavarur, që është shumë mirë”, deklaroi Berisha për Gazetën Observer.

“Jo veç MKRS, por gjithë qeveria duhet të bartet në Prizren, atëherë ndoshta Prishtina trajtohet më mirë në kuadër të proceseve të decentralizimit”, u shpreh Berisha. / Drenusha Ramadani- Gazeta Observer/

Kategoritë
KulturëLajmet Kryesore

Të ngjajshmet