Meta rrëzon ligjin e zgjedhjeve

Kthimi i ligjit zgjedhor ishte një akt i paralajmëruar nga  presidenti i Shqipërisë Ilir Meta që ditën kur mazhoranca e  votoi pa dakordësinë e opozitës jashtëparlamentare në Parlament.Ajo që nuk dihej ishte lëvizja e re e  Presidentit,  i cili shkon përtej një  dekreti  presidencial.

“Në datën 21 tetor 2020, i jam drejtuar me një kërkesë urgjente Komisionit të Venecias  për një opinion të specializuar dhe objektiv mbi këtë proces. Presidenti i Republikës vlerëson se, pas kthimit në Kuvend të ligjit, mazhoranca duhet të reflektojë duke rishikuar qëndrimin e saj mbi këto rregulla të reja, dhe të sigurojë opinionin final nga Komisioni i Venecias, duke thirrur njëkohësisht dialogun gjithëpërfshirës përmes Këshillit Politik”, tha ai.

Në datat 11-12 dhjetor parashikohen seancat e fundit plenare te Komisionit te Venecias  për këtë vit dhe Ilir Meta kërkon  që socialistët të  presin opinionin ndërkombëtar para se ta rrëzojnë  dekretin e tij  sërish në Parlament. Teksa pret   duket se e ka edhe një lëvizje rezerve.

“Nëse Kuvendi i Shqipërisë nuk reflekton për rishikimin e këtij ligji pas kthimit të tij nga Presidenti i Republikës, vlerësimi përfundimtar mbi papajtueshmërinë e ligjit nr. 118/2020, me Kushtetutën e rrjedhimisht me Konventën Evropiane të Drejtave të Njeriut dhe standardet ndërkombëtare është atribut vendimmarrës i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, për fat të keq ende jo funksionale” , tha Meta.

Përmes një  arsyetimi volumizon mbi 80 faqe kryetari i shtetit pretendon se socialistët  kane miratuar nje kod zgjedhor,  i cili i favorizon ne garën elektorale te 25 Prillit, pasi kundërshtari politik dobësohet duke i ndaluar bashkimin në koalicione  me listë të përbërë.  Meta kundërshton  edhe pragun e ri elektoral, herësin dhe përllogaritjen  e mandatave dhe votave brenda koalicionit  të cilat sipas kreut të shtetit penalizojnë opozitën legjitime dhe i  japin jete partive ilegjitime. Pasi të shterojë mundësitë institucionale  Presidenti  paralajmëron se  do i drejtohet popullit.

“Në rast se do të kemi një këmbëngulje për të dëmtuar zgjedhjet dhe për t’i prishur ato, presidenti do të jetë me gjithë popullin për të treguar se e ardhmja është Shqipëria si gjithë Europa” , tha ai.

Kryetari i shtetit kërkon ndjekje penale  për deputetët të cilet  bënë kompromis me Edi Ramën për të miratuar ligjin e ri zgjedhor duke kryer korrupsion legjislativ, raporton Tch.

Kategoritë
LajmeRajoni

Të ngjajshmet