Meta në Azerbajxhan: TAP i rëndësishëm për Shqipërinë

Zbatimi i suksesshëm i projektit TAP hap mundësi të reja bashkëpunimi, duke përfshirë edhe procesin e ardhshëm të gazifikimit të Shqipërisë”.

Në kuadër të vizitës në Baku, Presidenti Ilir Meta, u prit në një takim të veçantë nga Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev.

Meta vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve, si dhe ecurinë e tyre shumë të mirë në vitet e fundit.

Në mënyrë të veçantë, ai shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Presidenti Aliyev i ka dhënë projekteve të gazsjellësve TAP dhe IAP, nëpërmjet të cilave Shqipëria u bë pjesë e rrjetit të rëndësishëm të korridoreve botërore të energjisë.

Presidentët Meta e Aliyev vlerësuan me shumë interes bashkëpunimin në fushën e turizmit, mundësitë për rritjen e shkëmbimeve tregtare midis dy vendeve dhe nxitjen e takimeve mes dhomave përkatëse të tregtisë.

Presidenti Meta kërkoi gjithashtu që të shihej mundësia e heqjes së vizave nga Azerbajxhani për qytetarët shqiptarë, duke nënvizuar se kjo do të lehtësonte lëvizjet dhe kontaktet e drejtpërdrejta mes qytetarëve të të dy vendeve.”/atsh/

Kategoritë
LajmeRajoni

Të ngjajshmet