Meta: NATO-ja dhe partneriteti strategjik me SHBA-në janë shumë të rëndësishme për Ballkanin

Meta ka realizuar një takim me zyrtarë të lartë për të diskutuar mbi masat përgatitore në lidhje me stërvitjen ushtarake të koduar “Defender Europe 21/DE21”, e planifikuar për t’u zhvilluar në rajon

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, në cilësinë e kryetarit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ka realizuar një takim me zyrtarë të lartë për të diskutuar mbi masat përgatitore në lidhje me stërvitjen ushtarake të koduar “Defender Europe 21/DE21”, e planifikuar për t’u zhvilluar në rajon, përfshirë Shqipërinë, nga data 1 maj deri më 14 qershor 2021, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një njoftim nga Presidenca e Shqipërisë thuhet se të pranishëm në takim ishin Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ambasadorja e SHBA-së në Shqipëri, Yuri Kim, përfaqësues të ushtrisë amerikane, anëtarë të Qeverisë së Shqipërisë, kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, dhe përfaqësues të agjencive të sigurisë në vend.

Sipas njoftimit, qëllimi i takimit ishte koordinimi i masave paraprake, që faza përmbyllëse e stërvitjes të realizohet me sukses.

“Stërvitja me trupa ‘Defender Europe 21’ drejtohet nga Komanda e Ushtrisë Amerikane në Evropë. Për nga numri i pjesëmarrjes së trupave ajo është stërvitja më e madhe në të cilën përfshihen edhe trupat e Forcave tona të Armatosura. Në këtë stërvitje do të marrin pjesë trupa nga 26 vende aleate. ‘Defender Europe 21’ do të shtrihet në disa vende të rajonit tonë”, theksohet në njoftim.

Presidenti Meta theksoi gjatë takimit “rëndësinë dhe impaktin e madh që kjo stërvitje do të ketë në rritjen e aftësisë ndërvepruese mes strukturave ushtarake të vendeve të ndryshme aleate, si dhe në forcimin e paqes, stabilitetit e sigurisë në rajon e më gjerë”.

“NATO-ja dhe partneriteti strategjik me SHBA-në janë shumë të rëndësishme për Shqipërinë dhe Ballkanin. Besimi i popullit shqiptar dhe mbështetja ndaj tyre janë unanime, ashtu sikundër edhe vokacioni europian i shqiptarëve”, ka theksuar Meta.

Nga ana tjetër, zëvendëskomandanti i ushtrisë amerikane në Evropë dhe Afrikë, gjeneralmajor Joseph F. Jarrard, ka realizuar një vizitë në Shqipëri, ku u prit në një takim nga ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi.

Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë në një njoftim theksoi se ministri Peleshi gjatë takimit e konsideroi zhvillimin e stërvitjes në Shqipëri si “një shenjë e qartë e besimit të SHBA-së ndaj popullit shqiptar”.

Sipas këtij njoftimi, në stërvitjen “Defender Europe 21” do të marrin pjesë rreth 6.000 trupa dhe qindra mjete ushtarake nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shqipëria dhe vendet e tjera aleate.

Kategoritë
BotaLajme