Meta: Kam mbrojtur parimet kushtetuese dhe pluralizmin politik

Presidenti Meta, në një konferencë për mediat, ka folur në lidhje me zhvillimet e fundit politike në Shqipëri, për komisionin hetimor ndaj tij dhe për dekretin e tij për anulimin e zgjedhjeve vendore.

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka deklaruar se me dekretin i tij për të anuluar zgjedhjet e datës 30 qershor ka mbrojtur parimet kushtetuese dhe pluralizmin politik.

Meta, në një konferencë për mediat, ka folur në lidhje me zhvillimet e fundit politike në Shqipëri, për komisionin hetimor ndaj tij, për dekretin e tij për anulimin e zgjedhjeve vendore, si dhe për vizitën e delegacionit të Komisionit të Venecias.

“Qytetarët shqiptarë e dinë shumë mirë që presidenti i Republikës nuk ka bërë asnjë lloj shkelje të kushtetutës, përkundrazi ka qenë shembull i mbrojtjes së kushtetutës dhe i parimeve të saj. Presidenti i Republikës në mënyrën më të përgjegjshme ka respektuar kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, ka respektuar detyrimet ndërkombëtare që janë të detyrueshme, për Republikën e Shqipërisë”, është shprehur Meta.

Meta ka theksuar më tej se “Unë besoj se përfaqësoj shtetin e së drejtës në të gjitha aktet dhe sjelljet e mia të deritanishme, si president i Republikës. Unë si president kam të drejtë të nxjerr një dekret për të shfuqizuar dekretin tim të mëparshëm”.

Në lidhje me vendimin e tij për të anuluar zgjedhjet vendore, Meta tha se “Presidenti ka mbrojtur parimet kushtetuese, kushtetutën, ka mbrojtur pluralizmin politik përveçse ka evituar që antagonizmi të kalojë në fazën shpërthyese me pasoja pastaj të paparashikueshme për qytetarët, institucionet, dhe për imazhin ndërkombëtar të vendit”.

– Komisioni hetimor mbi kërkesën për shkarkimin e presidentit Meta

Kujtojmë se pas protestave dhe bojkotit të zgjedhjeve vendore nga partitë opozitare, Partia Demokratike (PD) dhe Partia Lëvizja Socialiste për Integrim (LSI), presidenti Meta zyrtarizoi më 10 qershor vendimin për shfuqizimin e dekretit për zgjedhjet vendore, duke vendosur anulimin e datës 30 qershor 2019. Ai pas disa ditësh dekretoi si datë të re 13 tetorin 2019 për mbajtjen e tyre, datë që nuk njihet dhe mbështetet nga kryeministri i vendit, Edi Rama.

Kuvendi i Shqipërisë më 8 korrik miratoi një komision hetimor për nisjen e procedurave për shkarkimin e presidentit Meta pas kërkesës së Partisë Socialiste të Shqipërisë (PS), me arsyetimin se dekreti për anulimin e zgjedhjeve është në kundërshtim të hapur me parimet kushtetuese. Raporti i komisionit hetimor dhe shkarkimi i presidentit Meta duhet të miratohen në seancë plenare.

Sipas Kushtetutës së Shqipërisë, presidenti i vendit mund të shkarkohet nga Kuvendi për shkelje të rëndë të Kushtetutës dhe për kryerjen e një krimi të rëndë, ndërsa propozimi për shkarkimin e tij në këto raste mund të bëhet nga jo më pak se një e katërta e anëtarëve të Kuvendit dhe duhet të mbështetet nga jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të tij.

Kushtetuta përcakton se vendimi i Kuvendit të Shqipërisë i dërgohet Gjykatës Kushtetuese, e cila, kur vërteton fajësinë e presidentit të vendit, deklaron shkarkimin e tij nga detyra.

Nga ana tjetër zgjedhjet vendore të datës 30 qershor për kryetarët e 61 bashkive dhe anëtarët e këshillave bashkiakë u zhvilluan me pjesëmarrjen e Partisë Socialiste të Shqipërisë, e drejtuar nga Rama së bashku me disa parti aleate të saj.

Partitë kryesore opozitare, Partia Demokratike dhe Partia Lëvizja Socialiste për Integrim, bojkotuan zgjedhjet vendore, ndërsa pjesë e procesit zgjedhor ishin disa parti të tjera opozitare./AA

Kategoritë
LajmeRajoni

Të ngjajshmet