Merr fund ‘notimi politik’ i Nismës dhe AKR-së, kërkohet shuarja e tyre

Zgjedhjet parlamentare të jashtëzakonshme të 14 shkurtit sollën një ndryshim të madh në skenën politike në vend. Krahas ngritjes së madhe të Lëvizjes Vetëvendosje, partitë tjera pësuan rëniet më të mëdha në historinë e tyre politike.

Madje, partitë si Nisma dhe AKR morën një numër tejet të vogël të votave, sa që rrezikuan seriozisht vazhdimësinë e tyre në skenën politike.

Nisma nuk arriti t’i sigurojë votat e mjaftueshme për kalimin e pragut zgjedhor, pasi mori vetëm 2,7 % prej tyre.

Në këtë rast, as AKR nuk doli më mirë në këto zgjedhje, pavarësisht koalicionit parazgjedhor me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Në bazë të rezultateve të deri tanishme përveç kryetarit të AKR-së, Behgjet Pacolli i cili thuhet se ka arritur të sigurojë ulëse në kuvend, kandidatët e tjerë të kësaj partie kanë dështuar ta bëjnë një gjë të tillë.

Bazuar në këto rënie të mëdha elektorale të këtyre dy partive politike, nuk mund të përjashtohet mundësia e shuarjes së tyre, pasi vështirë se mund të reformohen si parti në këtë fazë që po kalojnë.

Njohësit e çështjeve politike, për gazetën “Bota sot” deklaruan se formimi i këtyre subjekteve politike asnjëherë nuk ka qenë i nevojshëm, prandaj shuarja e tyre është vendimi i tyre më i duhur. Kjo, pasi këta të fundit vlerësuan se këto subjekte nuk kanë pasur asnjëherë plan program dhe ideologji të qartë politike.

Jashari: Tregu politik nuk ka nevojë për Nismën dhe AKR-në

Shemsi Jashari, njohës i çështjeve politike, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka komentuar situatën politike në Nisma dhe AKR pas dështimit në zgjedhjet parlamentare të parakohshme.

Jashari fillimisht përmendi rrugëtimin dhe krijimin e këtyre dy subjekteve politike, të cilat sipas tij kanë qenë të lidhura me interesin e Behgjet Pacollit dhe Fatmir Limajt. Ai tha se këto parti nuk kanë pasur programe dhe ideologji të qartë se çka në të vërtet ato përfaqësojnë.

“Historia e krijimit dhe rrugëtimit politik të subjektit politik “Nisma” dhe “AKR” janë të lidhura për interesin dhe egon e dy personave z.Limaj dhe z.Pacolli të cilët përveç momentumit për të themeluar subjekte asnjëherë nuk kanë arritur të ndërtojnë program politik dhe ideologji të qartë për çka përfaqësojnë por krejt investimi është bërë për të tregtuar me votat e fituara duke u hedhur herë ne një prehër të një subjekti politik e herë të një subjekti tjetër”, ka deklaruar Jashari.

Analisti u shpreh se zgjedhjet e fundit i kanë dhënë një mesazh të qartë AKR-së dhe Nismës, të cilat duhet të shuhen, pasi nuk i nevojiten tregut politik.

“Zgjedhjet e fundit kanë dhënë mesazhin e qartë se, si AKR si NISMA duhet të shuhen së funksionuari dhe nuk i duhen tregut politik si të tilla. Anëtarësia e tyre mund të kalojnë në subjektet tjera sipas profilit të tyre duke bërë që të kemi në të ardhmen e afërt parti të profilizuara dhe blloqe sipas orientimit të qartë, djathtiste, majtiste, të qendrës etj”, nënvizoi ai.

Në fund, Jashari tha se shuarja e këtyre partive politike do të ndikonte që koalicionet politike në të ardhmen do të bëhen më të natyrshme, pasi elektorati i këtyre partive ka qenë klientelist.

“Në mënyrë që edhe koalicionet në të ardhmen të jenë të natyrshme dhe me program të qartë e jo si në të kaluarën kur bëheshin koalicione me programe dhe orientime të kundërta dhe si pasojë edhe nuk funksiononin në qeverisje. Elektorati i të dyja këtyre partive ka qenë klientelist dhe i mbledhur vetëm për interesa të ngushta personale, aspak për ideologji dhe programe politike”, përfundoi Shemsi Jashari për ”Bota sot”.

Bajraj: NISMA dhe AKR, nuk mbijetuan “tregun” politik dhe agresivitetin e “ndryshimit”

Ndërsa, analisti politik, Fatmir Bajraj në një prononcimi për gazetën “Bota sot”, deklaroi se skena politike nuk ka pasur asnjëherë nevojë për Nismën Socialdemokrate (Nisma) dhe Aleancën Kosova e Re (AKR).

Kjo sipas Bajrajt, pasi këto subjekte politike ishin formuar për të plotësuar e përmbushur egocentrizmin e dy “liderëve” të tyre, Fatmir Limaj dhe Behgjet Pacollit.

“Nisma dhe AKR, kurrë nuk i janë dashur skenës politike të vendit, ngase që të dyja, janë krijuar si subjekte politike për të plotësuar e përmbushur egocentrizmin e dy “liderëve”, dhe si të tilla ishin fund e krye parti tribale dhe të gjykuara të dështojnë. Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 14 shkurtit 2021, ishin fatale për këto dy subjekte politike të cilat në zgjedhjet e parafundit të 3 tetorit 2019, kishin mbijetuar për faktin se ishin në një koalicion parazgjedhor, por edhe për arsyen se këto të fundit, i gjetën këto dy parti larg njëra tjetrës dhe në një “treg” dhe kontekst ndryshe, për çfarë rezultati i nxori humbëse; Nismën Socialdemokrate si e vetme në zgjedhje, derisa AKR-në, e Behgjet Pacollit të “shkrirë” në listën zgjedhore të LDK-së dhe me asnjë deputet fitues brenda saj”, u shpreh Bajraj.

Sipas tij, Pacollit nuk i mjaftoi koalicioni zgjedhor me LDK-në, pasi me dështimin e zgjedhjeve të 14 shkurtit, i ka ardhur fundi i ‘notimit’ të tij në politikë. Ai përmendi edhe tkurrjen e anëtarësisë së AKR-së, pas largimeve të dy personave kyç siç janë Mimoza Kusari-Lila dhe Agim Bahtiri, të cilët aderuan në Lëvizjen Vetëvendosje.

“AKR-ja, kishte marrë kryesisht një pjesë të votuesve të LDK-së, kur kishte vendosur Behgjet Pacolli të krijonte subjekt politik dhe synonte pushtetin përmes të cilit edhe favoret dhe privilegjet që ofron ky i fundit në egocentrizmin e tij dhe të cilit siç shihet dhe dihet i erdhi fundi i “notimit” në politikë dhe përmes saj në pushtet. Anëtarësia e AKR-së, edhe ashtu e tkurrur dhe shpërndarë gjithandej, dhe me theks të veçantë në LVV, përmes dy profiterëve politik të AKR-së, siç janë Mimoza Kusari dhe Agim Bahtiri të cilët për arsye meskine, kishin “tradhtuar” shefin e tyre, Behgjet Pacolli dhe iu kishin fut në “gji”, LVV-së, së z.Kurti, asetet e AKR-së, duke u konvertuar në VV-ist radikal dhe të tërbuar duke tejkaluar edhe ekstremizmin ideologjik të vetë LVV-së”, potencoi ai.

Më tej, Bajraj shton se vet Pacolli, pas këtyre zgjedhjeve duhej të dilte dhe të shpallte shuarjen e AKR-së, duke falënderuar përkrahësit e paktë dhe të ‘mallkuar’ të saj. Pasi, Kosova asnjëherë nuk ka pasur nevojë për një egocentrist politik si Behgjet Pacolli.

“Z. Pacolli, president i AKR-së, në një rezonim logjik, do duhej të shpallte shuarjen faktike dhe praktike të AKR-së, duke falënderuar mbështetësit e pakët dhe “mallkuar” ata të cilët keqpërdorën AKR-në dhe atë si president të saj. Dorën në zëmër, skena politike e Kosovës, kurrë s’ka pas nevojë për një AKR dhe as për një egocentrist politik siç ishte lideri i AKR-së, z.Behgjet Pacolli, teket dhe qasja e të cilit, jo vetëm që nuk ndihmuan vendin, por vetëm sa e ka dëmtuar me figura, shumica prej syresh, të etshëm për pushtet dhe favore që sjellë pushteti”, nënvizoi ai.

Kurse, sa i përket dështimit të Nismës, Bajraj tha se goditjen më të madhe e ka marrë në Drenicë, pas shkuarjes në Hagë, të ish-zëdhënësit të UÇK-së, Jakup Krasniqi. Ai përmendi edhe ndikimin e dështimit të koalicionit para zgjedhor me PDK-në.

“Nisma Socialdemokrate në këto zgjedhje, e dëmtuar politikisht sidomos në Drenicë pas marrjes nga Gjykata Speciale të numrit dy të saj, ish-krye parlamentarin dhe ish-zëdhënësin e UÇK-së, z. Jakup Krasniqi, dhe pas dështimit të saj në arritjen e një koalicioni parazgjedhor me “amën” e saj, PDK-në, e cila nuk pranoi që Nismën e Fatmir Limajt, ta trajtojë si partner, dhe me një indiferencë i kërkoj të “shkrihet” në PDK, pra pozicion inferior për z.Limaj, si ish-njëri nga krerët e PDK-së, dikur dhe i larguar nga pakënaqësia me proceset e brendshme të PDK-së dhe formimin e Nismës bashkë me Jakup Krasniqin”, theksoi Bajraj.

Ndikim në rënien elektorale të PDK-së dhe Nismës, analisti e sheh targetimin e të njëjtit elektorat të këtyre subjekteve dhe diskursin politik të cilat e përdoren ndaj njëra-tjetrës.

“Targetimi i të njëjtit elektorat, nga PDK dhe Nisma në këtë situatë, sikur nuk i ndihmoj që të këndellen, përkundrazi; edhe diskursi politik kundër njëra-tjetrës, sikur irritoj votuesit tradicional të tyre, dhe rezultati i dobët, e la Nismën Socialdemokrate jashtë parlamentit”, vlerësoi ai.

Në fund, Bajraj tha se Fatmir Limaj rezultatin zgjedhor të 14 shkurtit e sheh betejë të humbur dhe jo luftë, pasi ende shpreson që me qeverisjen e tij lokale në Malishevë mund të ruajë një pjesë të elektoratit.

“Nisma Socialdemokrate, e konsideron rezultatin zgjedhor të 14 shkurtit, vetëm një “betejë”, por jo edhe “luftë” të humbur, meqë deri në zgjedhjet lokale të tetorit të këtij viti, qeverisë me komunën e Malishevës, në të cilën në zgjedhjet e fundit e kishte sfiduar fuqishëm VV-ja me “frymën e ndryshimit”!

Gjasat teorike për ruajtjen e bastionit të vetëm në Malishevë ekzistojnë, por ato praktike janë pothuajse zero, përveç nëse bashkohet më “amën”, dhe një fuzionim i tillë do “shkrinte” Nismën dhe forconte shtëpinë e përbashkët, PDK-në”, përfundoi Fatmir Bajraj për gazetën “Bota sot”.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi