Merkel: Marrëveshja tregtare BE-Britani në interes të të gjithëve

“Do të ishte në interesin më të mirë të të gjithëve që të dakordohemi mbi një marrëveshje tregtare në kuadër të Brexit-it”, tha kancelarja gjermane, Merkel

Kancelarja gjermane, Angela Merkel tha se marrëveshja tregtare midis Bashkimit Evropian dhe Britanisë së Madhe në kuadër të Brexit-it do të jetë në interes të të gjithëve, duke shtuar se sigurisht nuk do të zhgënjejë Irlandën mbi çështjen e Brexit-it, transmeton Anadolu Agency (AA).

Më 1 korrik, Gjermania mori përsipër Presidencën e radhës 6-mujore të BE-së dhe gjatë këtij mandati, prioriteti i saj do të jetë lufta kundër pandemisë së koronavirusit, rimëkëmbja ekonomike dhe sociale e BE-së.

Duke iu drejtuar Komitetit Evropian të Rajoneve (CoR), organi këshillimor i BE-së i përbërë nga përfaqësues të zgjedhur lokalë dhe rajonalë nga të gjitha 27 vendet anëtare, Merkel komentoi çështjen e Brexit-it, duke theksuar rëndësinë e marrëveshjes tregtare për Irlandën.

“Ne nuk do të zhgënjejmë Irlandën mbi çështjen e Brexit-it. Edhe më tej do të vazhdojmë të jemi së bashku në bisedime”, tha kancelarja gjermane.

Merkel theksoi se do të ishte në interesin më të mirë të të gjithëve që të dakordohemi mbi një marrëveshje tregtare në kuadër të Brexit-it, duke shtuar se të gjithë anëtarët e BE-së janë dakord për arritjen e një marrëveshjeje tregtare me Britaninë e Madhe.

Ajo theksoi se BE-ja sigurisht duhet të përgatitet edhe në rast të një mosmarrëveshjeje të mundshme për Brexit-in.

“Doemos duhet të përgatitemi nëse nuk ka marrëveshje përfundimtare gjatë bisedimeve për Brexit-in”, tha Merkel.

Drejtuesit e 27 vendeve anëtare të BE-së do të takohen nesër dhe të premten në Bruksel për të diskutuar marrëveshjen tregtare me Britaninë në kuadër të Brexit-it.

Britania më 31 janar braktisi BE-në dhe u bë vendi i parë që u largua nga blloku, por edhe më tej gjendet në një periudhë tranzicioni që duhet të përfundojë deri në fund të vitit 2020. Gjatë periudhës së tranzicionit, qeveria e këtij vendi po bisedon me udhëheqjen e Unionit për marrëdhëniet e ardhshme.

Britania që nga viti 1973 ka qenë anëtare e BE-së ndërsa vendimi për Brexit-in u mor në referendumin e mbajtur në vitin 2016, kur 52 për qind e votuesve votuan për dalje nga blloku.

Kategoritë
BotaLajme

Të ngjajshmet