Mergim Lushtaku: PDK në Skenderaj nuk ka ofruar kandidat për kryetar komune, për respekt të familjes Jashari

Deputeti Mergim Lushtaku u lind në Skenderaj. Ai është i diplomuar në Shkencat Politike dhe Administratë Publike në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, ndërsa pret mbrojtjen e temës së diplomës së masterit në Menaxhment dhe Informatikë në Fakultetin Ekonomik të Universitetit “Hasan Prishtina”.

Gjatë periudhës studentore, për disa vite (2005-2009), ka qenë Pjesë e Parlamentit Studentor, si i zgjedhur i studenteve në organet e ndryshme të vendimmarrjes në Universitet, si Kryetar i Parlamentit Studentor, Senator, Antar ex-officio në Bordin e UPHP etj. Por pozitën e parë zyrtare, pas diplomimit, e ka fituar në vitin 2010. Ai është emëruar Koordinator për Integrime Evropiane në Departamentin për Menaxhimin e Reformës së Administratës Publike dhe Integrimeve Evropiane në kuadër të Ministrisë së Administratës Publike. Ka qenë drejtor i Departamentit për Integrime Evropiane dhe Koordinim të Politikave në Ministritë e linjës, konkretisht në periudhën 2011 – 2017. Ndërsa në fund të vitit 2015 ishte emëruar nga Qeveria si Drejtor i Bordit të Ndërmarrjes Publike “Iber-Lepenc”. Ndërsa në zgjedhjet e fundit parlamentare, ai është renditur si deputeti i tretë më i votuar nga radhët e PDK-së.

Aktualisht Lushtaku jeton në Prishtinë me bashkëshorten Shehiden dhe tre fëmijët, Virtytin, Urtinën dhe Elitën.

Në këtë intervistë për Gazeta e Re, Lushtaku ka folur për prioritetet e tij pas zgjedhjes si deputet i Kuvendit të Kosovës, efikasitetin e legjislaturës së gjashtë, çështjet potencialisht të vështira me të cilat mund të përballet Kuvendi si dhe kandidaturën e kandidatit të pavarur për Skenderajn, Bekim Jashari dhe përkrahjen nga ana e partisë së tij.

GeR: Z. Lushtaku kjo është hera e parë që jeni zgjedhur deputet i Kuvendit të Kosovës. A na thoni për fillim cila fushë e angazhimit tuaj përgjatë këtij mandati do të jetë prioritet i juaj?

Lushtaku: Kuvendi i Kosovës vetëm sa ka filluar të punojë. Do të konsolidohen komisionet parlamentare, dhe në varësi të çfarë komisioni do të caktohem, do angazhohem dhe jap kontributin tim në atë komision, përtej diskutimeve në seancat parlamentare. Prioriteti im do të jetë në kontributin tim që do të jap, në bashkëpunim me ekspertë, në komisionet parlamentare për të shtyrë përpara ligje që janë funksionale dhe në dobi të qytetarëve.

GeR: Prej fillimit të punës së legjislaturës aktuale të Kosovës, kur edhe u betuat e deri më sot nuk ka kaluar edhe aq kohë për të vlerësuar punën e deputetëve, por do të donim të dinim, cili është mendimi juaj, sa do të jetë efikase përbërja aktuale e Kuvendit të Kosovës në punën dhe detyrat e tij?

Lushtaku: Nuk e di saktë dhe s’mund ta parashikoj se çfarë na pret të ardhmen në Kuvendin e Kosovës, por deputetët e Kosovës, qoftë të pozitës e qoftë ata të opozitës, përtej lojës politike, në çështje të cilat janë në interes të vendit me qëllim të përmirësimit dhe avancimit të vendit tonë në përgjithësi, duhet të jenë bashkë dhe mendoj se jemi bashkë. Flamujt partiakë duhet të bien poshtë para flamurit të shtetit. Në këtë mandat qeverisës opozita është e fuqishme, jo vetëm në aspektin e numrave por edhe ka deputetë që vërtetë janë ekspertë në fusha të ndryshme dhe me një gatishmëri e bashkëpunim të sinqertë në interes të Kosovës, duke qenë konstruktiv, mund të bëjmë punë që do të mbahen në mend për të mirë. Uroj që asnjëri nga deputetët mos t’i zhgënjejmë votuesit tanë, e të cilësohemi si ‘legjislatura më e dobët’.

GeR: Nëse flasim për të ardhmen, cili është mendimi juaj, çfarë do të jetë ajo me të cilën ky Kuvend mund të përballët si çështje e të konsiderohet e vështirë dhe potencialisht stagnuese e Kuvendit?

Lushtaku: Këtë legjislaturë e presin çështje të nxehta me të cilat do përballet ajo, të cilat për mendimin tim, Kosovës padrejtësisht i janë futur në agjendë. Nuk mendoj që tema si Demarkacioni e Asociacioni janë prioritetet e vendit. Kosova ka nevojë në përmirësimin e menaxhimit dhe ngritjen e cilësisë në arsim e shëndetësi, në zhvillim ekonomik e rritjen e numrit të vendeve të punës, fuqizimin e mëtejmë të sektorit privat, zbatimin e ligjit dhe funksionim më efikas të fushës së drejtësisë e gjyqësisë. Pastaj, të vinin në rend temat në fjalë. Pa e rregulluar oborrin përbrenda nuk mund t’i rregullosh muret rrethuese ose të kesh raporte si duhet me fqinj e miq të jashtëm. Por, meqenëse temat i kemi përpara dhe duhet të përballemi me to, duhet t’i marrim me seriozitet dhe pa një konsensus të deputetëve të të gjitha partive, vështirë do të jetë. Halli im por edhe i qytetarëve besoj, është që të mos luajmë lojëra partiake e politike në dëm të Kosovës dhe qytetarëve duke krijuar vonesa të panevojshme.

GeR: Pasi tanimë jemi edhe në fazën e fushatës zgjedhore për nivelin komunal. Partia nga vini ju në komunën tuaj nuk ka prezantuar asnjë kandidat për kryetar komune. E vlerësoni si hap të drejtë këtë nga ana e partisë?

Lushtaku: Partia Demokratike e Kosovës në Komunën e Skenderajt është fakt që dihet tanimë, nuk ka ofruar ndonjë kandidat të vetin për kryetar komune, ndonëse me siguri të plotë theksoj, se kandidati i PDK-së do të dilte fitues me mbi 90% të votave. Por, për respekt të familjes Jashari, për sakrificën që ka bërë ajo, duke u shndërruar në një familje emblematike për çlirimin dhe lirinë e tërë Kosovës, jo vetëm të Skenderajt, i kemi hapur rrugë dhe do ta mbështesim djalin e heroit Hamëz Jashari, Bekimin. PDK-ja në këtë rast, me këtë veprim i ka dhënë model e shembull demokracie partive tjera në Kosovë se di dhe i respekton vlerat e vendit dhe s’e ka në plan ose rend të parë ose të vetëm marrjen ose arritjen deri te pushteti, qoftë komunal ose ai qendror.  Mendoj se bashkimi i vlerave me qëllim dhe vullnet të mirë sjell rezultat dhe këtë gjë ndjek dhe bën Partia Demokratike e Kosovës. I uroj sukses kandidatëve të PDK-së sukses dhe korrje të fitores nëpër komunat e Kosovës në zgjedhjet lokale të 22 tetorit.

GeR: Dhe për fund cila do të mund të ishte porosia për përkrahësit tuaj e që ka të bëjë me punën tuaj prej deputetit?

Lushtaku: Duke shprehur falënderimin dhe mirënjohjen e pandërprerë, do të mundohem që mos t’i zhgënjejë përkrahësit e mi me angazhimin tim si deputet. Do të mundohem të jem një model i politikanit që me qytetarin të ndërtojë një raport mirëbesimi. Mund të tingëllojë si popullizëm, por vërtetë me angazhimin e vet mendoj që politikani të jetë në shërbim të qytetarëve dhe mos ta thyen besën që ata ia kanë dhënë./Gazetaere.com/

Kategoritë
INTERVISTALajmet Kryesore

Të ngjajshmet