Me shtatore të shëmtuara, nuk zbukurohen sheshet

Invazioni i shtatoreve dhe busteve nëpër sheshet e qyteteve të Kosovës, ka filluar fill pas përfundimit të luftës së fundit. Figura dhe emra heronjsh, ish luftëtarësh, martirësh etj, u derdhën e u skalitën në objekte prej bronzi. Por stili i tyre, sipas të shumtëve, lë shumë për të dëshiruar – shkruan Gazeta e Re.

Kur para disa ditësh, me rastin e përvjetorit të ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë u zbulua busti i ish-Sekretares Madeleine Albright, në rrjetet sociale filloi gallata. “E kanë porositur me AliExpress!” – tha një qytetar. Shumica konstatuan që figura nuk i shëmbëllente aspak fizionomisë së saj. Ndërkaq disa fotografi nga akti i zbulimit, kapën momentin kur në fytyrën e saj u shfaq vërtetë habia…

Por ky nuk është i vetmi rast.

Shtatorja e heroit Adem Jashari në Malishevë, është krahasuar së fundi me karakterin e Peter Dinklage, te seria e famshme Game of Thrones, karakter ky i njohur me emrin: Tyrion Lannister. Shtatore të tjera, po kaq qesharake, kanë populluar gjithkah sheshet e qyteteve. Në Pejë, një e ngjashme i ka ringjallur polemikat në rrjetet sociale. Shtatorja e Shkëlzen Haradinajt, e vendosur në sheshin me të njëjtin emër, nuk po konsiderohet e denjë për at vend.

“Qendra e Pejës, dhunim përmes një kitch-i” – shkroi në një reagim publicisti Salih Kabashi. “Peja e artistëve, e piktorëve, e skulptorëve, e arkitektëve, e njerëzve me shije të holla e të kultivuara artistike, e profesorëve e studentëve pasionantë… u dhunua përmes instalimit të një shëmtie të hatashme skulpturore.

Turistët vendas e të huaj, tash e tutje në mes godinës së Postës dhe të Hotel Dukagjinit, si dhe vetë banorët e qytetit çdo ditë do të ndeshin një azhdarha të frikshme në trajtë të një gjoja monumenti” – ka vijuar ai.

Sipas tij në qendër të Pejës “është instaluar ekzemplari më i gërditshëm socrealist dhe kiçi më i pashije. Peja nuk meritonte kësifarë brutaliteti antikulturor…”

Për këtë “ekzemplar të gërditshëm socrealist” ka shkruar edhe profesori universitar Ilir Muharremi. Në një opinion të tij ai e ka cilësuar si një vepër që manifeston një ekspresionizëm të tejkaluar.

 “Shtrohet pyetja kjo shtatore a i ngjanë figurës së Shkëlzenit, a e gjejmë në të karakterin origjinal? Nëse e vëzhgojmë me kujdes gjejmë më shumë unin e skulptorit se sa figurën origjinale të heroit, derisa dihet që shtatorja është art i kufizuar dhe skulptori në asnjë mënyrë nuk mund të lirohet nga shpirti i figurës. Kjo shtatore është një ekspresionizëm si tendencë e Rodenit duke filluar nga përmasat anatomike, por ky ekspresionizëm tashmë është i tejkaluar dhe rrahur nga shumë skulptorë botëror. Neve na nevojitet origjinaliteti e jo shtrembërimi i përmsave anatomike” – ka shkruar ndër të tjera profesor Muharremi.

Sipas tij skulpturat e sotme duhet t’i nënshtrohen kohës, sepse fundja, edhe vet skulptori është i “kufizuar në kohë”. Profesori thekson se për ta njohur figurën e Shkëlzenit, nuk “mjaftojnë vetëm mustaqet”. Sipas tij plot tipare të fizionomisë së tij, janë shpërfytyruar.

“Ajo që është dashur skulptori ta bartë te masa është figura origjinale reale e heroit dhe nga kjo asnjë skulptor nuk mund të ikë sepse gjithmonë bëhet fjalë për shtatore publike.”

Gjithsesi sipas tij, figura “duhet të ngjallë patriotizëm, korrektësi dhe estetikë”,  sepse në fund është art, por ajo u shëmbëllen modeleve që realizoheshin në kohën e realizmit socialist. Megjithatë, përkundër kritikave të shumta, duket që histeria e popullimit të shesheve me skulptura e buste të pashije, do të vazhdojë për një kohë të gjatë./Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet