Me pikturat murale, artisti i ri ndryshon pamjen e fasadave në Tiranë

Vitet e fundit në Tiranë spikasin pikturat murale të realizuara nga i riu Franko Dine, i pari artist shqiptar i licencuar për artin e rrugës, i cili këtë lloj arti e ka zgjedhur së pari që të promovojë pasionin e tij.

Arti i rrugës në Tiranë ushtrohet në forma të ndryshme, duke i sjellë kryeqytetit të Shqipërisë një pamje ndryshe, por edhe duke tërhequr vëmendjen dhe kureshtjen e qytetarëve, sidomos kur bëhet fjalë për pikturat murale apo mbishkrimet që ndryshojnë fasadat e pallateve.

Të shumtë janë artistët e rrugës në Tiranë, që nga këngëtarë, instrumentistë e deri tek piktorët që me pasionin e tyre gjallërojnë edhe më shumë jetën e zhurmshme të kryeqytetit të Shqipërisë, por edhe tërheqin vëmendjen e banorëve vendas dhe të turistëve të huaj që vizitojnë kryeqytetin.

Vitet e fundit spikasin pikturat murale të realizuara nga i riu Franko Dine, i pari artist shqiptar i licencuar për artin e rrugës, i cili këtë lloj arti e ka zgjedhur së pari që të promovojë pasionin e tij dhe në këtë mënyrë të ndryshojë pamjen e fasadave në Tiranë.

Ndërkohë, ai me anë të këtij arti jep edhe mesazhe për tema të ndryshme që prekin sfera të ndryshme të shoqërisë dhe nga ana tjetër i sjell Tiranës artin e veçantë të rrugës, duke ndryshuar pamjen e fasadave të ndërtesave në disa nga rrugët kryesore të qytetit.

Dine, një artist i ri 28-vjeçar me origjinë nga Vlora, por që jeton në Tiranë prej disa vitesh, ka përfunduar studimet në Universitetin e Arteve në Tiranë, dega grafikë e lirë, ndërsa përveç shkollimit në Shqipëri, ai ka marrë pjesë edhe në trajnime në Itali dhe Luksemburg për grafikë.

Artisti Dine që artit të rrugës në Shqipëri po i jep një dimension ndryshe, për Anadolu Agency (AA) tregon se dëshira për këtë lloj arti i ka lindur nga pasioni që ta shprehë talentin e tij dhe për ta zhvilluar dhe ekspozuar artin tij dhe, siç thotë ai, për të lënë gjurmë në qytet, duke ndikuar tek ai që të dilte në rrugë dhe të pikturonte.

Pikturat murale me mesazhe për tematikat shoqërore

Teksa shëtit në disa nga rrugët kryesore që ndodhen pranë qendrës së Tiranës, shikohen punimet shumëngjyrëshe të Frankos, që tashmë janë bërë të njohura jo vetëm në Shqipëri, por disa prej tyre edhe jashtë vendit, pasi arti i tij promovohet nga vetë ai, por edhe realizon disa punime në vende të tjera.

Një ndër pikturat e tij murale më të njohura titullohet “Dy vëllezërit”, që ndodhet në një nga rrugët kryesore pranë qendrës së kryeqytetit dhe që tregon dy fëmijë që mbajnë veshur rroba me flamurin e Shqipërisë dhe Kosovës dhe të përqafuar me njëri-tjetrin, duke dhënë mesazhin e vëllazërisë mes Shqipërisë dhe Kosovës. Sa i përket punimit “Dy vëllezërit”, Dine thotë se ajo çfarë ka dashur të thotë është miqësia dhe dashuria mes vëllait të madh dhe atij të vogël nga dy vendet dhe të theksonte edhe patriotizmin që është mes shqiptarëve.

Franko në punimet e tij trajton tematika të ndryshme për familjen, mjedisin, fenomenet negative që prekin shoqërinë, por më kryesorja është se synojnë edhe të përçojnë mesazhe përveçse të jenë vepra të artit të rrugës.

“Tematikat që unë trajtoj janë tematika shoqërore, që prekin pjesën më të madhe të shoqërisë, jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë saj. Tematika janë dhuna ndaj familjes, dhuna ndaj gruas, dhuna ndaj fëmijëve, ndotja ndaj ambientit që unë jam shumë i prekshëm te kjo pjesë. Ndotja e ambientit është një gjë që duhet të na prekë të gjithëve. Secili nga ne duhet të japë mesazhin dhe duhet të bëjë diçka për këtë tokë të madhe që ne jetojmë, për këtë shtëpi të madhe që ne kemi. Është pastaj ndotja e oqeaneve”, tregon Dine.

Ai shprehet se problematikat që nuk ndodhin vetëm në Shqipëri, por në gjithë botën ndikojnë tek ai si artist për të filluar realizimin e një pikture murale, që në fund i shtohen trashëgimisë kulturore të Tiranës.

“Dëshiroj dhe synoj ta vazhdoj këtë lloj arti” 

Dine thekson se arti i rrugës po merr një zhvillim në Shqipëri, por sipas tij, po e merr pjesën më të madhe nga artistët e huaj, gjë për të cilën ai thotë se nuk është dakord.

“Ata (artistët e huaj) janë shumë të mirë, janë artistë që na japin eksperienca të reja, por ka një gjë, ne duhet të kemi identitetin tonë, duhet të jemi ne ato që duhet ta bëjmë Tiranën, Vlorën, çdo qytet të Shqipërisë me duart tona, të jemi ne ata që të krenohemi”, thotë Dine.

Materialet që ai përdor për realizmin e pikturave shumëngjyrëshe janë boja e murit, peneli, laps, kolor, letër dhe materiale të tjera, ndërsa vazhdimisht është në kërkim të idesë dhe realizimit të një punimi që lë gjurmë në qytet.

Puna e tij artistike është e përqendruar më shumë në Tiranë, ndërsa disa punime që ai i ka realizuar në qytete të tjera të vendit si Vlorë, Fier dhe Durrës, janë fshirë apo dëmtuar dhe mesazhi që ka ai ndaj qytetarëve është që të kujdesen dhe të mos i dëmtojnë punimet e tij.

Ndërkohë, arti i tij i ka kapërcyer kufijtë e Shqipërisë, pasi Franko ka ushtruar këtë lloj arti edhe në disa shtete të tjera, pasi ka realizuar piktura murale në Itali, Greqi dhe Luksemburg, duke i bërë kështu jehonë jetës së tij artistike edhe jashtë vendit, por gjithashtu ka marrë pjesë në festivale ndërkombëtare me artistë të huaj.

Në fund Franko tregon se dëshiron dhe synon ta vazhdojë dhe zhvillojë këtë lloj arti.

“Ajo që unë dua të them është se do ta vazhdoj këtë lloj arti. Vlerësimin si vepër artistike e kam ndjerë jashtë, si artist këtu. Unë nuk dua vlerësim për veten, por dua për veprën artistike “, thekson artisti.

Teksa qytetarët kureshtarë bëjnë fotografi pranë pikturave murale të realizuara nga Dine, të shumtë janë edhe ata që i njohin nga rrjetet sociale dhe që ndalojnë t’i shikojnë me kureshtje mesazhet që mbartin.

Franko ka lënë gjurmët e artit të tij në fasadat e pallateve të Tiranës, ndërsa ai do të vazhdojë që me pikturat murale ta zhvillojë edhe më tej artin e tij dhe në të njëjtën kohë të përçojë ato mesazhe që janë më të prekshme për qytetin, shoqërinë, por edhe më gjerë.

Janë më dhjetëra punime që mbajnë firmën e tij në Tiranë, ndërkohë që edhe gjatë izolimit, ai nuk ndaloi së punuari për realizimin e pikturave murale, ku pandemisë dhe sëmundjeve i kushtoi edhe pikturën murale “Tokë e helmuar”, që u rendit mes 15 muraleve më të mira në botë në kuadër të Ditës Botërore të Mjedisit.

Teksa arti që ushtron Franko Dine ndryshon edhe pamjen e kryeqytetit të Shqipërisë, veprat e artit të rrugës mbeten edhe në kujtesën e trashëgimisë kulturore të një metropoli që transformohet çdo ditë.

Kategoritë
KulturëLajmeRajoni

Të ngjajshmet