Me këtë strukturë kandidatësh vetëm në imagjinatë mund të presim qeverisje lokale kualitative

Në zgjedhjet lokale të cilat do të mbahen me 22 tetor të këtij viti, në 38 qytete do të garojnë 91 parti politike, 200 kandidatë për kryetarë komunash dhe 7000 kandidatë për asambleistë për kuvendet komunale. Krahasuar me të gjitha zgjedhjet e lira të mbajtura pas çlirimit, këto duket se do të jenë ndër më të zymtat. Premtimet e parealizueshme, mungesa e fytyrave të reja në partitë politike, kanë ndikuar që të mos entuziazmohen as qytetarët. Prandaj nuk është e nevojshme të jesh astrolog për t’i parashikuar rezultatet që do t’i prodhojnë këto komuna. Nëse njihni të kaluarën dhe nëse mundë ta kuptoni të tashmen, atëherë do ta parashikoni edhe të ardhmen. Nga ky aspekt, premtimet që s’janë mbajtur dhe kualiteti i kandidatëve të shpallur për të parët e komunave, na bëjnë të mendojmë që edhe në katër vitet e ardhshme nuk mundë të presim qeverisje lokale kualitative.

Shkruan: Bayram Pomak

Fakti që udhëheqësit partiakë synimet i kanë te interesat personale, kjo ndikon në uljen e kualitetit të partive politike. Pas përfundimit të zgjedhjeve, udhëheqësit politikë ua vendosin çelësat shtabeve partiake dhe më pas ,deri në zgjedhjet e ardhshme merren me kolltukët, tenderët dhe të tjera gjëra. Ndërsa kur aviten zgjedhjet fillojnë të lëvizin dhe pothuajse secilindo që e takojnë e shndërrojnë në kandidat. Prej 7000 kandidatëve për asambleistë, rreth 50% (këtë përqindje e vlerësuam me kaq për të tingëlluar më optimist se mund të jetë edhe më keq) e  tyre nuk e kanë idenë mbi rolin dhe funksionin e këshillit komunal. Ndërsa kur i shikon kandidatët për kryetarë të komunave, shumica prej tyre të bëjnë të turpërohesh.

Për çdo qytetarë të Republikës së Kosovës, është me rëndësi vitale kandidimi i njerëzve kualitativ, si për kryetarë të komunave ashtu edhe për asambleistë. Sepse fundja, njerëzit të cilët zënë kolltukët marrin vendime të rëndësishme të cilat  në mënyrë direkte na tangojnë të gjithë neve. A mund të pritet që një strukturë komunale që s’është kualitative të marrë vendime kualitative më qëllim të zgjidhjes së problemeve të popullit? Pra kjo është njëra ndër çështjet themelore me të cilat ballafaqohemi ne sot në komunat tona. Ekzistojnë asambleistë komunal të cilët gjatë gjithë mandatit të tyre 4 vjeçar asnjëherë nuk e kanë marrë fjalën. Ka një interes personal që ndërlidhet me të qenit asambleist. Ajo që na duhet neve është që të zgjedhurit e popullit, të cilët e fitojnë këtë detyrë publike, t’i propozojë këshillit komunal zgjidhjen e problemeve të qytetarëve. Pra neve kësi lloj njerëzish na duhen. Përderisa nuk kemi një strukturë komunale me një mentalitet të tillë, është e pamundur të presim një qeverisje lokale kualitative.

Është e drejtë natyrore që në zgjedhje çdo kush të votojë për atë që e do. Por kur jemi te çështja e përdorimit të votës, sipas meje, ndjenjat nuk duhet të kenë vend. Sepse ekziston i ashtuquajturi parimi i kompetencës… Edhe sikur kandidati të kishte qenë një i afërt i juaji nëse nuk është kompetent për këtë nuk duhet votuar. Sepse kjo nuk është çështje personale por është çështje publike. Një kandidat i caktuar në asamblenë komunale nëse vërtetë është profesional, kompetent dhe person i cili krijon empati me problemet e popullit rrjedhimisht do të kemi edhe qeverisje lokale kualitative me qëllim të zgjidhjes së problemeve të ndryshme.

Kandidatëve për kryetar komune dhe atyre për asamblesitë u dëshiroj sukses. Po ashtu uroj që të fitojnë ata të cilët vërtetë e meritojnë!!!


Vërejtje: Qëndrimet e autorëve nga kjo rubrikë, nuk domethënë që përfaqësojnë në mënyrë automatike edhe qëndrimet e redaksisë. Megjithatë, njohja e këtyre qëndrimeve është në interes të lexuesve, prandaj edhe publikimi i tyre. Për rrjedhojë autorët mbajnë përgjegjësi të plotë për sa u përket qëndrimeve rreth çështjeve të shtjelluara në fjalë.

Kategoritë
OPINIONEOpinione - Ballina

Të ngjajshmet