Me kë është diaspora?

Njëzet e pesë subjektet politike të certifikuara nga Komisioni Qendror Zgjedhor (KQZ), përveç fushatës së intensifikuar në terren, vëmendjen e kanë edhe te votuesit e diasporës. Këtë vit numri i votuesve në Listën Përfundimtare të Votuesve, është më i madh se sa në vitin e kaluar – shkruan Gazeta e Re.

Me gjithë problemet që e karakterizojnë, lista e sivjetme duket më e madhe për kah numri i votuesve. Vitin e kaluar, sipas të dhënave të KQZ-së ky numër ishte 1,888,059; ndërsa shifra këtë vit është rritur dukshëm në: 1,937,869.

Duket që këtë vlerë e kanë rritur numri i madh i votuesve të regjistruar nga diaspora. Janë 42 mijë aplikacione që janë pranuar dhe janë proceduar nga KQZ-ja, dhe janë po ashtu 115 votues të rinj, që për herë të parë do të kenë të drejtë vote në këto palë zgjedhje.

«Në bazë të listës preliminare të votuesve për këto zgjedhje, kjo listë përmban 115 mijë e 215 emra të votuesve më shumë se sa lista përfundimtare të votuesve për zgjedhjet lokale të viti 2017». Këtë e ka konfirmuar për Radio Kosovën Valmir Elezi, zëdhënës i KQZ-së. Sipas tij 115 –mijë votues janë të rinj.

Këto dy kategori do të jenë target i subjekteve politike që janë në garë. Sipas disa analistëve, rezultatet e zgjedhjeve të 6 tetorit, do të jenë të ngushta, andaj edhe përpjekja për ta fituar simpatinë këtyre kategorive të votuesve, do të jetë shumë e madhe.

Mirëpo duhet vënë theksin, thonë ata, që në disa palë zgjedhje, Lëvizja Vetëvendosje, për dallim nga subjektet e tjera, ka disa palë zgjedhje që ka korrur rezultate shumë më të kënaqshme nga terreni i ‘diasporës’.

Kjo, sipas tyre, do të jetë vendimtare edhe në zgjedhjet e 6 tetorit.

Kështu e parashikon edhe analisti Rasim Alija. Sipas tij, edhe në këto palë zgjedhje, në këtë pikë, LVV do të prijë.

«Që prej zgjedhjeve të vitit 2014 LVV-ja ka marrë shumicën e votave nga diaspora. Këtij fakti ia shtojmë edhe punën me diasporën që e ka bërë Vetëvendosja në terren, atëherë pritet që shumica e këtyre votave të jenë për këtë subjekt. Kjo mund të konfirmohet edhe nga sjellja e votuesve, duke qenë se procesi i votimit nga jashtë është goxha i komplikuar dhe numri i aplikimeve nga diaspora është dyfishuar. Ky entuziazëm nuk është votë për subjektet në pushtet, por është votë për partitë opozitare e në masë të madhe për LVV-në».

Ai për gazetën Zëri ka thënë se nëse «numri prej 42000 aplikimeve do të jetë në rregull dhe do të jenë pallogaritura edhe aplikimet e serbëve nga Kosova, kjo i bie 6% e trupës elektorale. I bie një subjekt politik me 6 ose 7 deputetë. Kjo do të thotë që gara për fituesin e zgjedhjeve tashmë ka marrë fund».

Vlen të thuhet se në njërën nga mbledhjet e fundit të KQZ-së, nga 42000 aplikacione, 5 mijë e 226 janë refuzuar. Arsyet janë kryesisht teknike, që ndërlidhen edhe me çështje të dokumenteve të skaduara./Gazetaere.com/

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet