Me 19 raste të reja numri i të prekurve me koronavirus shkon në 189

Përpos rasteve të reja të të infektuarve, numri i përgjithshëm i të vdekurve sipas IKSHPK-së ka shkuar në 5 ndërsa numri i të shëruarve në 30.

Kosova ka raportuar 19 raste të reja me koronavirusin e ri (COVID-19), me çka numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në 189, ndër të cilët deri më tani 30 janë shëruar dhe pesë kanë vdekur.

Siç ka bërë të ditur Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK), sot në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare janë testuar gjithsej 259 mostra ku prej tyre 19 kanë rezultuar pozitive.

“Rastet pozitive janë raste kontakti, 7 prej tyre me vendbanim në Smrekonicë-Vushtrri, 3 me vendbanim në Prishtinë, 2 me vendbanim në Senik-Malishevë dhe me nga 1 rast nga vendbanimet në Llashkadrenovc-Malishevë, Sazli-Ferizaj, Ujmir-Klinë, Gjakovë, Gjilan, Topanicë-Kamenicë dhe Vushtrri”, njofton IKSHPK.

Gjithashtu bëhet e ditur se sot janë shëruar edhe 6 pacientë që çojnë në 30 numrin e përgjithshëm të të shëruarve.

Nga 8 shkurti i këtij viti në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare janë testuar gjithsej 2.352 mostra të dyshimta me COVID-19 ndërsa prej tyre pozitive kanë rezultuar 189 raste ndër të cilët 5 kanë vdekur.

Rasti i fundit siç njofton ky institut ka pasur sëmundje tjera shoqëruese; infiltrim pulmonar, diabet tip 2, nefropati diabetike, tumor i gjëndrrës mbiveshkore të majtë, hipertension arterial dhe obezitet.

Në IKSHPK përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, ku deri më sot janë kontaktuar dhe janë nën mbikëqyrje 3.589 kontakte të rasteve.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi

Të ngjajshmet