Mbrojtja kundërshton masën e paraburgimit prej 30 ditësh për të dyshuarit për subvencione

Ka përfunduar seanca gjyqësore ndaj 11 personave të arrestuar për rastin “Subvencioni 2021”. Rreth orës 9:00 dolën para trupit gjykues në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Pala mbrojtëse e ka kundërshtuar kërkesën e prokurorisë për masën e paraburgimit prej 30 ditësh.

Avokati mbrojtës i B.K, Behar Ejupi tha se mbrojtja e ka kundërshtuar masën e paraburgimit duke i dhënë arsyet. Në të njëjtën kohë, deklaroi se kanë propozuar që e vetmja masë për të dyshuarit te jetë ajo e paraqitjes në stacion policor.

Ejupi: Kemi kërkuar si masë paraqitje në stacion policor

 

“Tani sa përfundoi seanca dëgjimore lidhur me kërkesën e prokurorisë për caktimin e paraburgimit edhe për klientin tim. Prokuroria pretendon se klienti im ka kryer dy vepra penale ‘dhënie e ryshfetit’ dhe ‘keqpërdorim i detyrë zyrtare’. Konsideron se ka prova të mjaftueshme. Mbrojtja e ka kundërshtuar pasi i njëjti nuk punon në pozitë e që ka kryer veprën penale ‘keqpërdorim i detyrës zyrtare’ ne i kemi dhënë arsye qe mos t’i caktohet masa e paraburgimit. Ne do presim me kohë, besoj dhe shpresoj se nuk janë plotësuar kushtet që të caktohet kjo masë, duke marrë parasysh që ligjvënësi ka paraparë edhe masa më të buta konform dispozitave ligjore. Ne kemi bërë propozimin që, eventualisht, nëse gjykata mund të caktojë ndonjë masë lidhur me sigurinë e të pandehurit në këtë fazë të procedurës mund të jetë paraqitja në stacion policor”, tha ai .

Ejupi tha se klienti i tij është i përfshirë bashkë më vëllain e tij që ka përfituar një subvencion, por që sipas të njëjtit, ajo është marrë sipas ligjit.

Ejupi: Vëllai i tij ka përfituar subvencion sipas ligjit

 

“Është me vëllain e tij së bashku dhe të dy dyshohen se kanë dhënë ryshfet lidhur me subvencionet, mirëpo i njëjti ka pranuar një subvencion i cili konsiderohet se është marrë konform normativave në fuqi dhe nuk ka të bëjë asgjë me dhënie të ryshfetit, por aq më pak për veprën penale keqpërdorim i detyrës zyrtare”, tha avokati mbrojtës i B.K.

Kurse, avokati mbrojtës i pandehurit, L.S, Naim Rudari tha se klienti i tij akuzohet për marrje ryshfeti dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare. Ai tha se e kanë kundërshtuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh të kërkuar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Rudari: E kemi kundërshtuar masën e paraburgimit

 

“Prokuroria ka paraqitur pikëpamjet e saj ndërsa ne e kemi kundërshtuar që të gjithë masën e paraburgimit dhe tani pritet vendimi i gjykatës se si do veprojë lidhur me kërkesën”, tha ai.

Kurse, avokati Arianit Koci i cili mbron njëri nga të pandehurit nuk ka dashur të flasë për rastin duke thënë se prokuroria nuk iu ka ofruar prova, ndërsa dokumente dhe përgjimet po rrjedhin nëpër medie.

Koci: Prokuroria po shkel parimin e barazisë

 

“Prokuroria po e shkel parimin e barazisë për shkak se neve nuk na ka dhënë asnjë provë, ndërsa dokumentet, përgjimet po rrjedhin në media, prandaj unë nuk mund të deklarohem për këtë çështje”, tha ai.

Të mërkurën për dyshimet për marrie ryshfeti lidhur me subvencionet në bujqësi janë arrestuar 11 persona, ndërsa edhe gjatë së enjtes janë arrestuar edhe nëntë persona të tjerë.

Nga bastisja e realizuar më 24 shkurt 2021, në komunën e Prishtinës, Podujevës, Gjilanit, Istogut e Lipjanit, me aktvendim të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar personat me inicialet S.Sh., L.S., S.S., H.M., B.N., K.Z., A.U., D.A., P.K., Sh.K., K.B-S., ndërsa personi me inicialet A.N., vetëm është shoqëruar në stacionin policor dhe i njëjti është liruar në procedurë të rregullt.

Kategoritë
LajmeVendi