Mbetet i paqartë zbatimi i marrëveshjeve për linjën ajrore e atë hekurudhore, ShBA-ja po synon fitore diplomatike

Dy marrëveshjet për linjën ajrore dhe hekurudhore me Serbinë po konsiderohen si “fitore” për Kosovën, ndërkaq Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), po synojnë që me këtë ta veçojnë si fitore diplomatike. Sidomos, marrëveshja për linjën hekurudhore, vlerësohet se do të bëjë që institucionet kosovare ta shtrijnë autoritetin e tyre në pjesën veriore të vendit, të munguar për shumë vitesh.

Njohësi i çështjeve politike, Blerim Vela, konsideron se një marrëveshje e tillë, është në vazhdën e bisedimeve të atëhershme ndërmjet LDK-PDK me Listën Serbe, ku këta të fundit kishin një kërkesë të tillë.

Madje, Vela këto bisedime po i quan bisedime të nivelit teknik dhe pa përfshirjen e mjaftueshme të nivelit politik.

“Iniciativa e ambasadorit Richard Grenell është veçse vazhdimësi e tema që janë shqyrtuar më herët në dialogun teknik në Bruksel, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe në fakt marrëveshje për bashkëqeverisje mes LDK-PDK-Lista Serbe në 2014, njëra nga kushtet që e ka paraqit Lista Serbe nda këtyre dy partive, kanë qenë këto dy pika, pra, pika për krijimin e lidhjeve hekurudhore dhe ajrore ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, pra kjo është vetëm vazhdimësi e bisedimeve që janë bërë më herët, ku palët nuk kanë arritur marrëveshje rreth modaliteteve”.

“…tani me një shtytje të re nga ambasadori Grenell, duke se çështja thjesht po diskutohet në nivel teknik dhe pa përfshirjen e pamjaftueshme të nivelit politik dhe në këtë drejtim po arrihet shumë shpejtë të finalizohet marrëveshja”, ka thënë Vela, duke shtuar se ende nuk janë qarta detajet sesi do të duket në praktik këto marrëveshje.

Vela beson se këto dy marrëveshje janë njohje e Kosovës nga Serbia. Por, Vela shton se duhet parë implikimet tjera politike sesi do të realizohet në praktik këto marrëveshje.

“Në parim, duke parë sesi po realizohet transporti hekurudhor në veri të vendit, ku momentalisht nuk kemi asnjë kontroll si institucione të Kosovës, është prapë një njohje e autoritetit tonë dhe do të mund të krijohet një kornizë për ne që ta kontrollojmë edhe atë pjesë në mënyrën e transportit hekurudhor, e cila ka qenë në kontroll të plotë nga autoritetet serbe dhe pa asnjë llogaridhënie ndaj Kosovës. Këto dy marrëveshje mund të quhet ndryshe edhe si njohje e shtetësisë së Kosovës në këto raporte me Serbinë, por gjithsesi duhet parë implikimet tjera politike sesi do të realizohet në praktik këto marrëveshje”, ka thënë ai.

E Përparim Kryeziu nga GLSP-ja për Ekonomia Online ka thënë se sidomos marrëveshja hekurudhore është në të mirë të Kosovës, ku specifikon gjendjen e rënduar të hekurudhave dhe kapacitetet e mangëta të tyre.

“Përveç implikimeve politike që këto marrëveshje mund të kenë në raport me sovranitetin e Kosovës, konsiderojë që është edhe shumë e rëndësishme dhe mbetet të shihet se cili është plani ekonomik pas këtyre marrëveshjeve. Duhet të jemi të vetëdijshëm sidomos në rastin e marrëveshjes për linjën hekurudhore, duhet të jemi të vetëdijshëm që Kosova ka një gjendje jo të mirë të hekurudhave, ka infrastrukturë shumë të dobët dhe kapacitetet të mangëta hekurudhore. Kosova në pronësi momentalisht ka vetëm  5 lokomotiva, të cilat përdoren për transportin e mallrave prej të cilave vetëm 4 janë në shfrytëzim, 2 prej këtyre 3 lokomotivave vitin e prodhimit e kanë 1966 dhe kjo flet për gjendjen mjerueshme  të infrastrukturës dhe kapaciteteve hekurudhore të Kosovës”, u shpreh ai.

Përfshirja e ShBA-së në këtë drejtim sipas Kryeziut, ka për qëllim të shënojë fitore diplomatike, para zgjedhjeve presidenciale atje.

“Kurse përfshirjen direkte dhe faktorizimin e shpejtë të  Shteteve të Bashkuara të Amerikës në procesin e dialogut unë e shoh nga këndvështrimi apo në kuadër të intensivësh së fundit diplomatike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të shënuar fitore diplomatike para zgjedhjeve presidenciale dhe kjo mund të dëshmohet dhe mund të shihet edhe në përpjekje të fundit të saj, në lehtësimin e arritjes së një marrëveshje paqeje në Lindjen e Mesme. Për dallim nga ky regjioni i Lindjes së Mesme historikisht është dëshmuar që regjioni i Ballkanit është një regjion në të cilin ShBA-të gëzojnë një respekt më të madh dhe rrjedhimisht gjasat për një fitore diplomatike janë të mëdha, e me sa duket ShBA-ja ka nevojë për një fitore të atillë”.

“Megjithatë mua më duhet të them se kjo përfshirje direket dhe këto dy marrëveshje nuk do të thotë që Shtetet e Bashkuara  të Amerikës po tentojnë medoemos që të arrijnë një marrëveshje finale, kjo asesi nuk mund të përjashtohet, por konsiderojë që ShBA-ja është momentalisht më të interesuara për çfarëdo lloj marrëveshje të cilat shënojnë përparim apo risi në këtë proces, të paktën deri në zgjedhjet presidenciale të ShBA-së”, u shpreh Kryeziu.

Marrëveshja , që synon rihapjen e linjës ajrore Prishtinë-Beograd, u nënshkrua në Berlin në ambasadën e ShBA-së më 20 janar.

Fluturimet Prishtinë-Beograd dhe anasjelltas në të ardhmen do të realizohen nga kompania gjermane Lufthansa.

Kurse Xhemë Veseli, drejtor i Transportit Rrugor dhe Ramë Qupeva, drejtor i Infrastrukturës Rrugore në ministrinë e Infrastrukturës po ne Berlin me 27 janar kanë diskutuar për rihapjen e trafikut hekurudhor ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por që marrëveshje ende nuk është  nënshkruar.

Kategoritë
LajmeTema e DitësVendi

Të ngjajshmet