Mbahet simpoziumi “140 Vjetori i Lidhjes” (Foto)

Për nder të 140 Vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, një ngjarje e cila konsiderohet si lapidare në historinë e Kombit tonë, OJQ IDEA dhe OJQ ARASTA sot kanë realizuar simpoziumin “140 Vjetori i Lidhjes”, raporton Gazeta e Re.

Nën moton “Lidhja Bashkon në Prizren” simpoziumi u zhvillua në formë të dy paneleve ku në panelin e parë ligjërues ishte politologu, Hysamedin Feraj, historiani Shasivar Kabashi dhe sociologu Blerim Halili, në panelin e dytë, panelistë ishte, Kryetar i LVV-s, Albin Kurti, Kryetari i “Lëvizja BESA”, Afrim Gashi dhe kryetari i “Lëvizja për Drejtësi”, Sylejman Çerkezi.

Politikologu, Hysamedin Feraj, duke folur rreth temës së Simpoziumit, tha se 140 vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, duhet të na shërbej si një analizë se ne si komb çfarë kemi bërë e çfarë jo, rreth trashëgimisë që na është lënë nga koha e mbajtjes së saj.

Për herë të parë në këtë simpozium, ngjarja e Lidhjes së Prizrenit u trajtua duke u bazuar edhe në arkivat e Perandorisë Osmane ku ligjëruesi ishte historiani, Shasivar Kabashi dhe në aspektin sociologjik ku foli sociologu, Blerim Halili.

Ndërkaq, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, deputeti Albin Kurti, tha se duke marrë parasysh rrethanat e kohës, krerët e LSHP-së dhe vet mbajtja e Kuvendit, rezultoi jo vetëm në ngritjen e vetëdijes kombëtare, por hapi rrugë të reja të unitetit dhe prosperimit të të gjithë shqiptarëve, edhe pse në kohën e tanishme ende na kanë mbetur sfida të mëdha. Rreth temës së Simpoziumit.

Panelistë në këtë simpozium ishte edhe kryetar i Lëvizjes Besa, Afrim Gashi i cili foli për përmbushjen e idealeve të Lidhjes së Prizrenit.

“Kur është fjala për  dimensionin politik, ushtarak, arsimor dhe kulturor-identitar i Lidhjes së Prizrenit, janë ideale që kanë mbetur gati se të papërmbushura. Ne si komb do të duhet ta dimë se kjo është korniza e shqiptarisë, prej së cilës akoma mund të marrim mësim, natyrisht në kuadër të idealeve aktuale politike euro-integruese”, theksoi Gashi.

Në anën tjetër, kryetari i Lëvizjes për Drejtësi, Sylejman Çerkezi tha se Lidhja e Prizrenit është një projekt qe nuk ka mbaruar ende.

“Evropianët na quajnë fundi i perëndimit, fillimi i lindjes, lindorët na quajnë fundi i lindjes fillimi i perëndimit, shtrohet pyetje: A kemi bërë shërbimin që të jemi fundi i lindjes apo i perëndimit? Mendoj që shërbimin më të madh e kemi bërë vetvetes, ne mënyrë që të kemi dualizëm në këtë urë sepse urat edhe në kohë paqeje edhe në kohë lufte janë jashtëzakonisht të rëndësishëm, ne gjithmonë kemi qenë urë në shërbim e të tjerëve dhe asnjëherë në shërbim të vetvetes. Historia duhet te shërbej neve e jo ne të shërbejmë historisë. Në qoftë se disa shqipfolës dje fshiheshin në emër të perandorisë osmane ose të Turqisë së re, sot politikanët tonë fshihen pas faktorit ndërkombëtar ose pas BE-së, në qofte se disa flisnin me gjuhën e të menduarit siç tha më herët edhe profesori Feraj, pra më gjuhën Turke, sot fatkeqësisht po mbillet dhe po tentohet me çdo kusht të flasim gjuhën “evropiançe”, në asnjë shtet evropian nuk e konsiderojnë veten evropian sa e konsiderojmë ne shqiptaret. Ende pa u fut në formulën e BE-s, ku mendoj se deri sa futemi ne, BE-ja do të shpërbëhet se gjithmonë na ka ndodhe kështu, te fundit në Perandorinë Osmane, të fundit në Jugosllavi dhe te fundit të jemi në BE kur të gjithë do të kenë ajkën e mëzen e vetë, e neve na ngel vetëm hirra dhe gjithmonë do të merremi me hirrën tonë, pse na ndodh kjo? Kjo na ndodh sepse ne nuk e njohim veten tonë. Pse na ndodh kjo? Sepse ne mundohemi të jemi evropian para se të jemi shqiptar”, theksoi Çerkezi.

Pra idea jonë, detyra jonë është të kthehemi vetes tonë dhe ta njohim veten, të mendojmë shqip dhe të veprojmë shqip, shtoi ai.

Pjesëmarrës në këtë aktivitet ishin edhe personalitetet dhe liderët institucionalë nga Kosova, Maqedonia dhe Shqipëria

 

 

/Gazetaere.com/

Kategoritë
KulturëLajmeVendi

Të ngjajshmet