Masat e reja fiskale fuqizojnë sektorin e prodhimit dhe atë privat

Vendimet e qeverisë për lirim nga tatimi i akcizës dhe tatimi doganor për të gjithë prodhuesit që importojnë vetë apo përmes kontraktuesit, të cilët janë të autorizuar nga ATK për shtyrje të TVSh për lëndën e parë që përdoret në proces të prodhimit, janë vendime të cilat do të fuqizojnë sektorin e prodhimit dhe sektorin privat në Kosovë.

Kështu u tha në një konferencë  të përbashkët për media të Ministrisë së Financave, Odës Ekonomike të Kosovës dhe Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë,  ku temë diskutimi ishin masat e reja fiskale.

Lulëzim Rafuna, këshilltar i ministrit Bedri Hamza, tha se vendimet e tilla ndihmojnë prodhuesin dhe biznesin privat, i cili do të jetë shtytës i zhvillimit ekonomik dhe uljes së papunësisë.

Rafuna: Kjo do të ndikojë pozitivisht tek prodhuesit tanë

“Qasja jonë siç e ka bërë të ditur ministri Hamza,  është se gjatë këtij mandati, nuk do të ketë ngritje të tatimeve, por do të ketë lirime, që ta ndihmojmë prodhuesin tonë dhe do të ketë thjeshtim të procedurave në të gjitha administratat, që mbledhin të hyra ose të gjitha administratat, që kanë të bëjnë me biznesin privat. Në mënyrë që biznesi ta ndjejë dhe lehtësimin e procedurave burokratike. Vendimet janë marrë në qeveri do të kenë efekt prej 1 janarit. Do të lirohen lëndët e para që do të përdoren nga prodhuesit tanë. Gjysmë produktet të gjitha pajisjet e teknologjisë informative. Do të lirohen të gjitha linjat e prodhimit, po ashtu, do të lirohen nga tatimi i akcizës, burimet e energjisë, siç janë gazi, nafta, mazuti e të gjitha këto. Ne besojmë se kjo është një shtysë shumë e madhe dhe kemi besim të plotë se do të ndikojë shumë pozitivisht te prodhimtaria jonë”, tha ai.

Rafuna tha se nuk do të ndalen me kaq, por do të vazhdojnë derisa të arrihet qëllimi, që prodhuesi të jetë i barabartë si brenda, ashtu dhe jashtë vendit.

Rafuna:  Ky është një vendim i guximshëm dhe i rëndë

“Është vendim shumë i madh dhe i guximshëm, për arsye se ka kosto buxhetore. Ne në mandatin vetëm në muajt që ka marrë ministri pozitën, këto janë masat dhe vendimi i parë më i rëndë që ka marrë. Padyshim, që ne nuk do të ndalemi. Ne, së bashku me komunitetin, do të ulemi dhe do ta bëjmë një vlerësim të këtyre masave. Dhe çka mundemi masa tjera me ndërmarrë, në mënyrë që prapë t’ia lehtësojmë jetën prodhuesit tonë, që të bëjë biznes jo vetëm brenda Kosovës, por dhe jashtë saj”, tha ai.

Rafuna po ashtu bëri të ditur se në fund të muajit tetor, parashihet bashkimi i vendkalimit doganor në Vermicë dhe Morinë me Republikën e Shqipërisë dhe se ky  do të jetë lehtësim  i madh, pasi do të eliminohet një hallkë e kontrollit në kufirin Kosovë-Shqipëri.

Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane (OEA), Arian Zeka, tha se është momenti  i fundit që të hyjnë në fuqi këto masa lehtësuese për sektorin e prodhimtarisë në vend.

Zeka: Ishte momenti i fundit që të merren këto masa lehtësuese

“Është momenti përfundimtar që ne në OEA kemi pritur që të hyjnë në fuqi këto masa lehtësuese për sektorin e prodhimtarisë në vend. Arsyetimi besoj se është i panevojshëm, duke pasur parasysh bilancin tregtar i cili ka shënuar vendi ynë nga viti në vit. Pa ndonjë përmirësim të dukshëm. Realisht pa rritje të eksporteve dhe me rritje graduale ose të vogël nga viti në vit. Ka qenë e vetmja masë, e cila në periudhë afatgjate do të garantonte vazhdimin e sektorit të prodhimtarisë në vendin tonë. Vendimi i fundit për lirimin e të gjitha lëndëve të para dhe krijimi i një liste të harmonizuar kombëtare të prodhuesve në  vend, do të ofrojë zgjidhjen e duhur për një kohë më të gjatë”, tha ai.

Ndërkaq kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Safet Gërxhaliu, tha se vendimet e marra janë mbështetje e fuqishme e sektorit prodhues dhe një mesazh i mirë për investitorët e huaj, të cilët duan të investojnë në Kosovë.

Gërxhaliu: Kjo është mbështetje e fuqishme e sektorit privat

“Këto dy vendime që janë marrë, janë mbështetje e fuqishme e sektorit prodhues. Një sektor, i cili duhet të jetë prioritet dhe si duket në kabinetit qeveritar aktual, prioritet i prioriteteve do të jetë ekonomia e mbështetur në sektorin privat, në veçanti në sektorin prodhues. Janë dy  lehtësira ose  dy vendime, të cilat do të ndikojnë në aspektin intern dhe në aspektin e jashtëm. Në rend të parë, do të kemi rritje të kapaciteteve prodhuese në Kosovë, sepse kemi të bëjmë, jo vetëm me lëndën e parë, por dhe me pajisje në linjat e prodhimit. Në rend të dytë, do të ndikohet në mënyrë të drejtpërdrejtë në fuqizimin ose përmirësimin e një indikatori substancial, çfarë është përmirësimi i bilancit të pagesave”, tha ai./KP/

Kategoritë
EkonomiLajmet Kryesore

Të ngjajshmet