Maqedonia ndryshoi emrin

Me mbështetjen e dy të tretave të deputetëve apo 81 vota, Kuvendi i Maqedonisë ka miratuar katër amendamentet me të cilat do të ndryshohet emri kushtetues në “Republika e Maqedonisë së Veriut”.

Kuvendi i Maqedonisë të premten me 81 vota pro ka votuar ndryshimet kushtetuese dhe me këtë emri i ri i Maqedonisë, do të jetë Republika e Maqedonisë së Veriut.

Ndryshimet kushtetuese u miratuan pas negociatave të gjata me opozitën shqiptare lidhur me disa amendamente të saj që kanë të bëjnë me pozitën e shqiptarëve në Kushtetutë. Pas katër ditë negociatash, për të siguruar votat e nevojshme, Kryeministri Zoran Zaev dhe kryetari i Lëvizjes Besa Bilall Kasami, ranë dakord që kërkesat e opozitës shqiptare të realizohen përmes ligjit kushtetues dhe jo përmes amendamenteve plotësuese.

Vendimin e Kuvendit, Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev e ka vlerësuar si shumë të rëndësishëm për të ardhmen vendit, pasi me këtë mbyllet kontesti 27-vjeçar me Greqinë për çështjen e emrit, që ka mbajtur për kaq kohë të bllokuar edhe anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

Opozita maqedonase, VMRO-DPMNE dhe koalicioni, nuk ishte e pranishme në këtë seancë, ndërsa drejtuesit e saj për tre ditë radhazi sa edhe kanë zgjatur bisedimet për sigurimin e votave, kanë protestuar para ndërtesës së Kuvendit, duke e kritikuar marrëveshjen si kapitulluese për kombin, identitetin, gjuhën dhe kulturën maqedonase.Pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese, ka reaguar VMRO–DPMNE. Kryetari i saj Hristijan Mickovski ka thënë se ndryshimet kushtetuese për ndryshimin e emrit, identitetit, historisë dhe arsimit është bërë në mënyrë antikushtetuese dhe kriminele.

 “Ky është vendimi i 81 deputetëve, por nuk është i qytetarëve. E gjithë kjo është një akt tradhtie. Kërkojmë shpërbërjen e Parlamentit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare së bashku me zgjedhjet presidenciale”, u shpreh Kryetari i VMRO-DPMNE, Hristijan Mickovski.

Kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi duke i përshëndetur deputetët dhe mbështetësit e këtij procesi tha se Maqedonia hyn  në fazën e sigurisë dhe qetësisë institucionale me çka hapen mundësitë ekonomike për investime të reja në shtet.

Zv/kryeministri për çështje evropiane Bujar Osmani ka përgëzuar deputetët mbi vendimin e guximshëm për çështjet kushtetuese.

tonike

LIDERËT BOTËRORË PËRGËZOJNË SHKUPIN PËR EMRIN “MAQEDONIA E VERIUT”

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i liderëve botërorë, të cilët kanë përgëzuar Shkupin për ndryshimin e emrit, vendim ky, i cili i hap dyert Maqedonisë për në NATO dhe BE.

Kryeministri grek Aleksis Cipras ka uruar kryeministrin Zoran Zaev “Për përfundimin e suksesshëm të procesit të ndryshimeve të Kushtetutës së IRJM-së, në bazë të Marrëveshjes së Prespës”, kumtojnë nga kabineti i Ciprasit.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg, përmes rrjeteve sociale ka uruar kryeministrin e Maqedonisë Zoran Zaev për miratimin e ndryshimeve kushtetuese në Kuvend duke thënë se “NATO fuqishëm mbështet procesin e implementimit të Marrëveshjes, që sjell stabilitet dhe prosperitet në rajon”.

Shefja e diplomacisë evropiane Frederika Mogerini dhe eurokomisari për zgjerim Johanes Han, në emër të Bashkimit Evropian (BE), kanë uruar Kuvendin për hapin krucial ndaj implementimit të Marrëveshjes së Prespës.

Liderët politikë dhe qytetarët e treguan përgjegjësinë e tyre për ta kapur këtë moment unik historik për zgjidhjen e njërit prej kontesteve më të vjetër në rajon dhe me vendosmëri të lëvizin përpara në rrugën drejt BE-së”, theksojnë Mogerini dhe Han.

Ambasadori amerikan në Maqedoni Jess Baily, miratimin e ndryshimeve kushtetuese e ka mirëpritur si vendim historik për të ardhmen euroatlantike të Maqedonisë.

Shtetet e Bashkuara e mirëpresin vendimin e përfaqësuesve tuaj të zgjedhur. Kur procesi do të përfundojë me ratifikimin nga Greqia, kjo Marrëveshje përfundimisht do të zgjidhë mosmarrëveshjen e emrit, e cila ka penguar qytetarët e Maqedonisë që të realizojnë synimet e tyre për anëtarësim në NATO dhe Bashkimin Evropian”, thuhet në reagimin e ambasadorit amerikan, Jess Baily.

Ndryshimet kushtetuese janë pjesë e Marrëveshjes së Prespës, të nënshkruar në qershor të vitit 2018 midis qeverive të Maqedonisë dhe Greqisë, zbatimi i të cilave është kusht për anëtarësimin e vendit në NATO dhe hapjen e negociatave për anëtarësim në BE.

Ndryshimet kushtetuese, përfshirë emri Republika e Maqedonisë së Veriut, do të hyjnë në fuqi pasi Marrëveshja e Prespës të ratifikohet në parlamentin grek.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreRajoni

Të ngjajshmet