Maqedoni e Veriut, shkatërrohet grupi kriminal që merrej me kalim ilegal të migrantëve, 10 të arrestuar

Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Toni Angellovski, tha se sot, më 15 tetor, u zhvillua një operacion i koordinuar policor ndaj një grupi të organizuar për shkak të kontrabandës me migrantë

Policia e Maqedonisë së Veriut ka arrestuar dhjetë persona në një askion kundër një grupi të organizuar kriminal që merrej me kalim ilegal të migrantëve, transmeton Anadolu Agency (AA).

Zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, Toni Angellovski, tha se sot, më 15 tetor, u zhvillua një operacion i koordinuar policor ndaj një grupi të organizuar për shkak të kontrabandës me migrantë.

Sipas tij, një hetim penal kundër grupit të organizuar kriminal prej 12 anëtarësh, i cili ka vepruar në territorin e Maqedonisë së Veriut për një kohë të gjatë, është kryer në dhjetë muajt e fundit nga Njësia Kombëtare Kundër Kontrabandës me Migrantë dhe Trafikimit të Qenieve Njerëzore, në periudhën nga dhjetori 2019 deri më tani.

“Organizatorët e grupit kriminal M.S., djali i tij S.S. nga Bogdanci, A.А. nga Shkupi dhe A.M. nga fshati Llojan, Komuna e Likovës, në bashkëpunim me persona nga Greqia, kanë organizuar një grup kriminal me të cilin në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në periudhën nga dhjetori i vitit 2019 deri më tani, organizuan kontrabandim të rreth 100 migrantëve të paligjshëm, me çka kanë siguruar përfitim të konsiderueshëm të paligjshëm pronësor. Shumica e migrantëve ishin me origjinë nga Afganistani, Pakistani, Siria, Irani, Egjipti dhe vendet e tjera në Lindjen e Mesme, të cilët më parë qëndronin në Greqi”, tha Angellovski.

Ai informoi se janë kryer bastisje në gjithsej dhjetë objekte në zonën e Gjevgjelisë, Shkupit, Shtipit dhe Kumanovës, dhe dhjetë persona janë privuar nga liria, ndërsa njëri tashmë po vuan një masë paraburgimi për një krim të mëparshëm, “kontrabandë me migrantë”.

Kallëzime penale janë ngritur kundër 12 personave për krimet “Organizim i një grupi dhe nxitje e kryerjes së trafikimit njerëzor, trafikimit të fëmijëve dhe kontrabandës me migrantë” dhe “Kontrabandë me migrantë”.

Kategoritë
LajmeRajoni

Të ngjajshmet