Maqedoni e Veriut, rritet në 177 numri i rasteve me COVID-19

Ministria e Shëndetësisë ka informuar se janë regjistruar 29 raste të reja të koronavirusit të ri (COVID-19).

Ministria e Shëndetësisë e Maqedonisë së Veriut, njoftoi se në vend janë regjistruar 29 raste të reja me koronavirusin e ri (COVID-19), me çka numri i të prekurve me COVID-19 arrin në 177.

Në njoftimin e publikuar nga ministria thuhet se rastet e reja janë regjistruar në Shkup (20), në Kumanovë (3), në Veles (3) dhe në Prilep (2) dhe në Dibër (1).

Përpos këtyre qyteteve, më herët raste janë raportuar edhe nga qytetet Shtip, Kavadar, Ohër dhe Gostivar.

“Me këtë, numri i përgjithshëm i pacientëve të diagnostifikuar me COVID-19 sot në ora 12:00 është 177 persona, prej të cilëve një është shëruar dhe dy pacientë kanë humbur jetën”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Kujtojmë se Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka miratuar disa masa për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, duke përfshirë edhe orë policore në të gjithë territorin e vendit nga ora 21:00 deri në ora 05:00.

Më 18 mars, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, shpalli gjendje të jashtëzakonshme në të gjithë vendin, me qëllim lehtësimin e luftës kundër përhapjes së koronavirusit.

Kategoritë
LajmeRajoni

Të ngjajshmet