Maqedoni e Veriut, nënat kërkojnë vazhdimin e pushimit të lehonisë

Nënat e fëmijëve deri në gjashtë vjeç protestuan para Qeverisë për të shprehur revoltën e tyre ndaj vendimit qeveritar për të rifilluar punën

Nënat e fëmijëve nën moshën gjashtë vjeç në Shkup protestuan sot pasdite para Qeverisë së Maqedonisë së Veriut lidhur me vendimin për të ndërprerë pushimin e lehonisë dhe për t’u kthyer në vendet e punës, pasi më parë për shkak të koronavirusit të ri (COVID-19) u zgjat pushimi i lehonisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Të mbledhura para Qeverisë, nënat e fëmijëve deri në gjashtë vjeç, të shoqëruara nga burrat dhe fëmijët e tyre, dolën për të protestuar dhe në shenjë revolte lanë shishe fëmijësh bosh para gardhit të Qeverisë, duke treguar simbolikisht se nëse kthehen në punë, nuk do të ketë kush të kujdeset për fëmijët.

Nënat gjithashtu mbanin banderola ku shkruhej: “A do t’i lini fëmijët tuaj të shkojnë në kopsht?”, “Fëmijët tuaj nuk janë më të rëndësishëm se fëmijët tanë?”, A i përgatitët spitalet e përkohshme për fëmijët tanë?”.

Ata thonë se janë revoltuar nga vendimi për të ndërprerë pushimin e lehonisë dhe për t’u kthyer në punë. Kërkesa e tyre është të anulohet vendimi i Qeverisë sipas të cilit ata do të duhet të kthehen në punë më 23 shtator. Ata gjithashtu dëshirojnë që pushimi i lehonisë të zgjatet deri në fund të vitit, sepse, siç thonë ata, nuk ka vend në kopshte dhe ata nuk mund të regjistrojnë fare fëmijët e tyre.

“Unë kam kompaninë time, por përsëri nuk mund të largohem nga salloni për të filluar punën. Nuk do të ketë askush që të kujdeset për fëmijën tim”, tha në deklaratë për mediat Ole Nestorovska nga Tetova, njëra nga protestueset para Qeverisë.

“Nëse na frikësoni kot, turp u qoftë! Por nëse ajo që po ndodh është e vërtetë, na lini në shtëpi me fëmijët. Ne nuk jemi të tillë që nuk dëshirojmë të punojmë, ne jemi nëna që kujdesemi për fëmijët tanë. Ne kemi karriera, duam të kthehemi në punë, por duam që fëmijët tanë të mos kenë brenga. Ne morëm informacion se shumë nëna u kërcënuan nga kompanitë në të cilat punojnë. I kanë thirrur në telefon dhe u kanë thënë se nëse do të paraqiteshin në protestë, do të pushohen nga puna”, tha Maja Murtovska, një protestuese tjetër.

Sipas vendimit qeveritar të 14 shtatorit, të gjithë prindërit e fëmijëve nga 0 deri në 6 vjeç, të cilët janë liruar nga procesi i punës, duhet të kthehen në punë duke filluar nga 23 Shtatori.

Ky grup qytetarësh janë lehtësuar nga përgjegjësitë e tyre të punës që nga fillimi i pandemisë COVID-19 në muajin mars, kur u mbyllën kopshtet dhe shkollat ​​filluan mësimin online. Në ndërkohë, kopshtet filluan punën më 9 shtator.

Sipas analizave të Ministrisë së Punës dhe Politikave Sociale, kopshtet kanë kapacitet të kujdesen për rreth 19 mijë fëmijë, ndërsa për momentin ka rreth 4.500 vende të lira.

Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe tha se nënat duhet të kthehen në punë dhe se “ndoshta do të jetojmë me virusin gjatë vitit 2021.”

Gjithsej 16.274 raste me COVID-19 janë regjistruar deri më tani në Maqedoninë e Veriut, ndërsa numri i vdekjeve të shkaktuara nga ky virus është 675.

Kategoritë
LajmeRajoni

Të ngjajshmet