Maqedoni e Veriut, KSHZ shpall rezultatet përfundimtare zyrtare të zgjedhjeve

Në përputhje me Kodin Zgjedhor, KSHZ në një seancë publike miratoi konkluzionin për shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura më 15 korrik 2020.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) i Republikës së Maqedonisë së Veriut shpalosi rezultatet përfundimtare zyrtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura më 15 korrik të këtij viti.

Në përputhje me Kodin Zgjedhor, KSHZ në një seancë publike miratoi konkluzionin për shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të mbajtura më 15 korrik 2020, bazuar në të dhënat e procesverbaleve të komisioneve zgjedhore komunale.

Kryetari i KSHZ-së, Oliver Derkovski, njoftoi rezultatet përfundimtare dhe shpërndarjen e mandateve të deputetëve të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut.

Koalicioni “Mundemi” (LSDM) fitoi 327.408 vota ose 35,89 për qind, apo 46 mandate, koalicioni i VMRO-DPMNE-së fitoi 315.344 vota ose 34,57 për qind, apo 44 mandate, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) fitoi 104.699 vota ose 11,48 për qind, apo 15 mandate, Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa fitoi 81.620 vota ose 8,95 për qind të votave, apo 12 mandate, E Majt afitoi 37.426 vota ose 4,1 për qind të votave, apo 2 mandate, Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) fitoi 13.930 vota ose 1,53 për qind të numrit të përgjithshëm të votave, apo një mandat”, tha Derkovski.

Sipas rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në vend, nga numri i përgjithshëm prej 1.814.236 votuesve, gjithsej 943.750 qytetarë ose 52 për qind ushtruan të drejtën e tyre të votës.

Ndryshe, për shkak të pandemisë aktuale të koronavirusit (COVID-19), votimi zgjati tre ditë. Më 13 dhe 14 korrik votuan personat e infektuar me COVID-19 dhe ato në vetizolim, si dhe personat e sëmurë dhe të pafuqishëm, personat në shtëpi pleqsh, të burgosurit dhe personat e zhvendosur në Qendrën e Personave të Zhvendosur. Ndërkaq, më 15 korrik votuan të gjithë qyteatarët e tjerë.

Në zgjedhje morën pjesë 15 koalicione dhe parti politike me më shumë se 1.500 kandidatë.

Kategoritë
LajmeRajoni

Të ngjajshmet