Mali i Zi shpreson se rusët mund të shpëtojnë sezonin e tij turistik

Plazhet përgjatë brigjeve të Adriatikut të Malit të Zi, të mbushura normalisht me turistë në gusht, ishin kryesisht bosh javën e kaluar, e kjo për shkak të pandemisë së koronavirusit që po dëmton ekonominë e vendit.

Të ardhurat nga sezoni turistik i verës pritet të ulen me rreth 90% nga 280 milion euro (330 milion dollarë) në vitin 2019. Turizmi përbën më shumë se 20% të ekonomisë së Malit të Zi.

Në bregdetin e Budvës shihen kafet me shumë pak njerëz dhe larg njëri-tjetrit. Restorantet janë të boshatisura.

“Qarkullimi tani është rreth 12% në krahasim me të njëjtën datë të vitit të kaluar,”  tha Krsto Niklanovic, një pronar restoranti për Reuters.

Për të shpëtuar sezonin, Mali i Zi ,javën e kaluar hapi kufijtë për rusët, të cilët zakonisht përbëjnë një të tretën e 2.6 milion turistëve që vizitojnë çdo vit. Rusia duhet të miratojë masa reciproke përpara se turistët e saj të fillojnë të vijnë.

Lidhjet midis Podgoricës dhe Kremlinit u shkëputën pasi Mali i Zi u bashkua me NATO-n në vitin 2016, por rusët ende zotërojnë rreth një të tretën e të gjitha kompanive të huaja dhe pasurive të patundshme në vend.

Zeljka Radak-Kukavicic, kryetarja e Organizatës Turistike në Mal të Zi, tha se ardhja e rusëve do ta ndihmonte vendin.

“Unë besoj … ne do të arrijmë të paktën të minimizojmë efektet e shtatë muajve të mëparshëm,” tha ajo.

Mali i Zi në mars mbylli kufijtë, aeroportet dhe portet detare, dhe ndaloi tubimet publike dhe aktivitetet në natyrë.

Deri më tani vetëm 3,618 njerëz janë infektuar me koronavirus dhe 64 kanë vdekur.

Kategoritë
LajmeRajoni

Të ngjajshmet