Macron: Po punojmë për të ndaluar mediat sociale për fëmijët nën moshën 15-vjeç

Presidenti francez Macron tha se studimet shkencore tregojnë se mediat sociale ndikojnë negativisht te fëmijët dhe të rinjtë

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron tha se dëshiron që përdorimi i mediave sociale të ndalohet për ata nën moshën 15-vjeç ndërsa shtoi se po punojnë për të ndërmarrë veprime brenda Bashkimit Evropian (BE) për këtë çështje, transmeton Anadolu.

Në selinë e gazetës “La Depeche du Midi” në Toulouse, Macron trajtoi çështjen e luftimit të rreziqeve që paraqesin mediat sociale dhe teknologjitë e reja.

Ai tha se studimet shkencore tregojnë se mediat sociale ndikojnë negativisht te fëmijët dhe të rinjtë. “Ne po shkojmë drejt ndalimit të mediave sociale deri në një moshë të caktuar. Ne duhet t’i mbrojmë (të rinjtë) nga mediat sociale. Negociatat po vazhdojnë. Do të duhet ta finalizojmë këtë për moshat 14, 15 dhe 16-vjeç”, deklaroi Macron.

Presidenti francez tha se po ndërmerren hapa brenda BE-së për të ndaluar mediat sociale për të rinjtë. “Ne po formojmë një koalicion në Evropë për ta arritur këtë”, u shpreh ai.

Macron tha se më parë duan të ndalojnë mediat sociale për ata që janë nën moshën 15-vjeç në të gjithë vendin.

Që nga viti 2023, regjistrimi në platformat e mediave sociale për të miturit nën moshën 15-vjeç në Francë është bërë me pëlqimin e prindërve ndërsa këto platforma janë të detyruara të krijojnë sistem për të verifikuar nëse të miturit kanë marrë apo jo leje nga prindërit e tyre.

Kategoritë
BotaLajme