Macron do të kërkojë “zgjimin” e Evropës pas Brexit-it

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron do ta përshkruajë Brexitin si një “thirrje për zgjim” gjatë një fjalimi të cilin pritet ta mbajë në fund të këtij muaji.

Ai do të nënvizojë faktin se Evropa duhet të jetë më bindëse në përballje me fuqitë tjera rivale botërore, thanë burime në kabinetin e presidentit francez, shkruan agjencia Reuters.

Fjalët e tij do të jenë një paralajmërim për kontinentin që nuk po mundet ta projektojë fuqinë e tij dhe të mbrojë veten, thanë ndihmësit e presidentit francez, duke e vlerësuar fjalimin si më të rëndësishmin që nga paraqitja e tij në shtator të vitit 2017, ku Macron foli për reformimin e Bashkimit Evropian.

“Kjo është një kohë kritike. Nëse ne evropianët nuk duam që të ketë edhe dalje të shteteve tjera nga blloku, dhe të bllokohemi në një status quo, ne duhet të zgjohemi” i tha ky burim agjencisë Reuters.

Fjalimi i Macron përkon me tensionet në rritje në Perëndim.

Vendet perendimore janë të tronditura nga politikat e “Amerikës së parë” e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump dhe largimi i Britanisë nga BE-ja. Një Kinë me më shumë vetëbesim dhe Rusia paraqesin sfida të mëdha.

Megjithëse Macron do të përdorë largimin e planifikuar të Britanisë nga BE-ja, më 29 mars, si shtysë kryesore për fjalimin e tij, qëllimi nuk është të ofrojë një nismë për të zhbllokuar pengesën në negociatat midis Londrës dhe Brukselit.

Kategoritë
BotaLajme

Të ngjajshmet