“Luftë” për një foto mes turistëve holandezë dhe amerikanë

Donin të bënin një ‘selfie’ nga këndi i saktë në sheshin Fontana di Trevi, në Romë, për të kapur më mirë pamjen mahnitëse pas shpinës së tyre. Por asnjë nuk donte ta lëshonte atë kënd të privilegjuar.

Kësisoj, lindi një sherr që kërkoi ndërhyrjen e disa patrullave të policisë bashkiake. Pas qetësimit të gjakrave, edhe pse me vështirësi, tetë turistë amerikanë dhe holandezë janë denoncuar në polici për dhunë dhe kërcënime.

Grindja, midis një vajze holandeze 19-vjeçare dhe një gruaje 44-vjeçare italiane-amerikane filloi me një shkëmbim të fortë fjalësh, pastaj u kalua tek fyerjet. Të dyja më tej kaluan tek duart dhe filluan të rrëzohen dhe të marrin shuplaka dhe grushte. Në atë moment, shoqëruesit respektivë nisën të konfliktohen fizikisht me njëri-tjetrin.

Midis “konkurrentëve”, ishin gjithsej 8 vetë, duke përfshirë tre vajza të mitura, dy amerikanë 17-vjeçarë dhe një vajzë holandeze trembëdhjetë vjeç. Ardhja e menjëhershme e dy agjentëve, të cilët ishin në shërbim në shesh, i ka qetësuar gjakrat e familjarëve. Në fakt, vetëm disa minuta, sepse grupi më pas ka rifilluar të grindet sërish.

Për këtë, mbërritën disa patrulla të tjera policie, të cilat arritën të mbyllin sherrin, i cili mund të kishte shkaktuar pasoja dhe dëmtime më të rënda tek personat e pranishëm. Turistët, kanë pësuar vetëm disa lëndime të vogla, për të cilat nuk ishte e nevojshme ndihma mjekësore. Autoriteti gjyqësor, vendosi ndaj tyre t’i denoncojë për dhunë dhe kërcënime.

Kategoritë
BotaLajme

Të ngjajshmet