Luftë apo paqe mes Turqisë dhe Rusisë?

Shkruan: Malik Hasa

Fuqitë e mëdha, me pretekstin e pranverës arabe, nisën një fushatë luftërash në lindjen e mesme dhe në Afrikë, ku do të garonin me njëri-tjetrin për shitjen e armatimeve, testimin e armëve moderne të sapo prodhuara dhe plaçkitjen e pasurive nëntokësore të këtyre vendeve.

Metodat e zbatuara në të gjithë shtetet ishin të njëjta, mirëpo pas një farë kohe mega plaçkitësit kuptuan se vrasja e diktatorëve nuk ishte zgjidhje ideale. Për këtë arsye në shtetin e radhës, në Siri, thurën një tjetër plan për copëtimin e vendit dhe për qshfrytëzimin e nëntokës së pasur.

Pozicionimi i aktorëve këtu nuk u realizua në një proces të shpejtë dhe qe vazhdimisht i ndryshueshëm. E vetmja gjë që nuk ka ndryshuar që nga nisja e konfliktit është pazari i shitjes së armatimeve, tregtia e qenieve njerëzore, shitja e përfitimeve të plaçkës së luftës, shfrytëzimi i nëntokës etj… Krijimi i organizatës terroriste DEASH nga vetë ata, mbrojtja e regjimit të Asadit dhe fuqizimi i organizatave terroriste kurde në veri të vendit ishin vetëm disa nga veprimet e shumta të aktorëve ndërkombëtarë që tashmë Sirinë e kishin kthyer në një fushë të hapur loje.

Turqia ishte vendi që u ndikua në mënyrë të drejtpërdrejtë nga përplasjet në Siri, por fuqitë e mëdha, me pretendimin se pasta e tyre do të ndahej në më shumë pjesë, nuk deshën që ky shtet të ishte pjesë e lojës. Si rrjedhojë Rusia, nën petkun e Regjimit të Asadit, po ashtu edhe SHBA-ja, nën petkun e organizatave terroriste të krijuara në veri të vendit, shtetet Europiane herë në një anë e herë në një tjetër, për vite me radhë punuan dhe fituan miliona. Humbësi i vërtetë i kësaj panorame ishte populli sirian, ndihmësi i vetëm i të cilit ishte Turqia e mbështetur nga disa vende arabe.

Kur të mëdhenjtë rendin për të fituar miliona, të vegjlit shtypen, pikërisht kjo ndodhi në Siri, një dramë e vërtetë me më shumë se një milionë e gjysmë vrasje të njerëzve të pafajshëm, zhdukjen e një civilizimi të tërë, shembjen e infrastrukturës etj… Më e rënda në këtë histori ishin vuajtjet dhe mundimet e njerëzve të pafajshëm të cilët ia dolën të mbijetonin nga mizoria e gangsterëve të mëdhenj që enden pas arit të zi….

Që prej nisjes së konfliktit Turqia ka bërë thirrje për ruajtjen e civilëve, ka hapur dyert për ta. Ka pritur më shumë se 3.5 milionë refugjatë. Ka dërguar ndihma humanitare për pothuajse për 4 milionë njerëz në brendësi të Sirisë. Ka hapur furra buke, ka ngritur çadra dhe ka ofruar ushqim ndaj njerëzve të dëbuar me forcë nga shtëpitë e tyre. Herë-herë bëri dhe sakrifica, por kurrë nuk hoqi dorë nga ndihma e nevojtarëve e aq më tepër në këtë rast kur ata që iu bëhej padrejtësi ishin pikërisht fqinjët e tyre.

Përveç harxhimeve marramendëse të cilat arrijnë vlerën e 40 miliardë dollarëve, Turqia jo vetëm që nuk ka marrë asnjë premtim të perëndimit për ndihmën ndaj refugjatëve, por shpesh herë ka hasur edhe në qëndresën e gangsterëve që vijnë rrotull për gjetjen e ndonjë pusi nafte aty rrotull që për fat janë të lokalizuar të gjitha në anën e kufirit me Turqinë. Përplasja me SHBA-në dhe kundërshtimi i saj për shkak të armatosjes së organizatës terroriste PYD/PKK në veri të Sirisë, përplasja me Francën dhe Gjermaninë në po të njëjtat zona ishin disa nga këto ngjarje…

Nga ana tjetër marrëdhëniet e Turqisë me Rusinë kanë qenë me ulje-ngritje për shkak të konjonkturave dhe ndryshimeve shumë të shpeshta të politikave në Siri me aktorët e tjerë, ekonomisë ndërkombëtare dhe gjeostrategjike. Bashkë me rrëzimin e avionit rus në kufirin e Turqisë me Sirinë, dy vendet për pak sa nuk shkuan në një përplasje fizike, por kjo gjë ndikoi në lindjen e një ‘miqësie’ që më vonë do të kurorëzohet edhe me blerjen e sistemit raketor mbrojtës ‘S400’. Kjo gjë nuk ndodhi vetëm si shkak i qëndrimit të fortë të një lideri të vërtet si Recep Tayyip Erdoğan. Dy vendet ‘përdorën’ njëri-tjetrin për sfidimin e vështirësive ekonomike, rreziqeve ushtarake dhe gjeopolitike në rajon, por marrëdhëniet e tyre miqësore nuk mund të kthehen assesi në një ‘dashuri’ jetëgjatë, pasi në njërën anë Rusia ndihmon regjimin e Asadit dhe është në prag të një përplasjeje fizike me Turqinë në këtë rajon, ndërsa në anën tjetër Turqia ka ngritur një marrëdhënie ‘fito-fito’ me Ukrainën, dy vende këto që kanë shumë për të marrë nga njëri-tjetri… Nëse Rusia, për shkak të përfitimeve gjeostrategjike ndihmon Asadin (vrasësin e popullit të tij), Turqia nuk mund të rrijë duarkryq dhe të bëjë sehir kur avionët rusë bombardojnë popullin e pafajshëm në Idlib. Në gjithë këtë konflikt dhe jo vetëm, Turqia ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë pranë popullit të shtypur dhe atyre që u bëhet padrejtësi…

Turqia nuk dëshiron të luftojë kundër Rusisë, por në të njëjtën kohë nuk mund të rrijë duarkryq përballë vrasjeve të njerëzve të pafajshëm në Idlib, aneksimit në mënyrë të njëanshme të Krimesë, padrejtësive ndaj popujve turq që ndodhën në vendet ruse apo dhe vrasjeve të komanduara që po kryhen në sytë e gjithë botës në Libi…

Fakti që vendet arabe janë në një gjumë letargjik nuk do të thotë që Turqia është e detyruar të heshtë. Nuk duhet të harrojmë që përpos kundërshtimit të liderëve të përgjumur arabë, Turqia gëzon mbështetjen e shumë popujve arabë për fushatat humanitare dhe operacionet ushtarake që po zhvillon në Siri dhe Libi, operacione këto të cilat nuk kanë qëllim tjetër, veçse ruajtjen e popullatës dhe të tërësisë territoriale të shtetit të Sirisë… Së fundmi Turqia, krahas të gjitha këtyre, është i vetmi vend që ka deklaruar hapur përpjekjet për ruajtjen e tërësisë territoriale të Sirisë dhe Libisë, deklarata këto që kanë shtuar ndjeshëm përkrahjen ndaj këtij vendi.


Vërejtje: Qëndrimet e autorëve nga kjo rubrikë, nuk domethënë që përfaqësojnë në mënyrë automatike edhe qëndrimet e redaksisë. Megjithatë, njohja e këtyre qëndrimeve është në interes të lexuesve, prandaj edhe publikimi i tyre. Për rrjedhojë autorët mbajnë përgjegjësi të plotë për sa u përket qëndrimeve rreth çështjeve të shtjelluara në fjalë.

Kategoritë
OPINIONEOpinione - Ballina

Të ngjajshmet