Lufta populiste kundër dentistit

Nga Anila BASHA

Dy vite më parë, babai im i ndjerë, i cili ishte në luftë me kancerin nëpërmjet kimioterapive, pati një problem me një dhëmballë. Për të mos më shqetësuar, zgjodhi të shkojë në një klinikë dosido stomatoligjike në Fier për një kontroll.

“Nuk ka problem Teli, do e shkulim”, i thotë dentisti si pa të keq, pavarësisht se pacienti i thoshte se ishte në proces kimioterapie dhe se kjo gjë nuk duhet të ndodhte. Dentisti, e kishte dy minuta punë dhe një dorë lekësh. Nëse ky proces do kishte ndodhur atëherë, pas konsultave me doktorët në Tiranë, ishte e sigurt, se babai do ishte ndarë nga jeta që atë kohë, pa i jetuar edhe ato dy vite të mëpasme derisa mbylli sytë.

E tregova këtë rast nisur nga debatet e shumta që po bëhen sot për çmimet te klinikat stomatologjike. Shumë kioska, të hapura në çdo qoshe pallati, me vend e pa vend dhe pa asnjë kontroll, kanë filluar luftën e madhe të ashpër për çmime reference në stomatologji: psh, një mbushje 20 mijë lekë të vjetra, apo një pastrim 15 mijë lekë të vjetra e lloj lloj propozimesh që fatkeqësisht, janë populiste për nga natyra e tyre, por larg debatit profesional kur bëhet fjalë për dhëmbët në gojën e gjithkujt.

Nuk e di se ç’mendojnë njerëzit për debate të tilla, kur vjen fjala për higjenën e gojës. Nuk e di ç’mendojnë gratë e vajzat që harxhojnë 15 mijë lekë të vjetra për të lyer thonjtë, apo 60 mijë lekë për bojë flokësh, por nuk mendojnë se për të pastruar gojën e tyre, (proces që ndodh njëherë në gjashtë muaj dhe jo çdo muaj sikurse janë shërbimet e tjera), duhet të paguajnë më tepër.

Nuk e di se ç’mendojnë meshkujt, që për të larë makinat e tyre, kujdesen të harxhojnë njëherë në tre ditë nga 3000-5000 lekë të vjetra, por ama kur vjen puna për mbushjen e një dhëmballe në gojë nuk duan ti harxhojnë 40 mijë lekë të vjetra (ndërkohë që mbushja në gojë qëndron gjatë – varet nga dentisti dhe materiali I vendosur në gojë, – ndërsa makinat I lajnë sa herë bie shi, apo thuajse cdo javë).

Ka shumë klinika dentare kioska, që as mjetet e dezifektimit, mjetet e punës, nuk i kanë të duhurat. Dhe të mendosh të ulesh në poltronin e dentistit, ke frikë për viruset që mund të marrësh në gojë. Ky është problem. Kështu shtohen sëmundjet. Jo më kot ka pasur raste edhe të shtimit të sëmundjeve të pashërueshme pikërisht nga problemet me gojën e me dhëmbët. Këtu duhet të ndërhyjë shteti. Të mbyllë klinikat kioska që nuk garantojnë asnjë kusht higjene, dhe të mos mendojë për çmimet që duhet ti rregullojë vetë tregu privat i dentistëve.

Dhe një gjë të fundit, nëse duan shëndetësi e stomatologji falas, kjo do të thotë që shteti të hapë këto klinika në njësitë e veta shtetërore dhe ti mbajë në kontroll. Të tjerët, të dalin në tregun e kontrolluar të stomatologjisë dhe sipas cilësisë së shërbimit, që varet nga shumë faktorë, të bëjnë edhe pagesat. /Newsbomb/


Vërejtje: Qëndrimet e autorëve nga kjo rubrikë, nuk domethënë që përfaqësojnë në mënyrë automatike edhe qëndrimet e redaksisë. Megjithatë, njohja e këtyre qëndrimeve është në interes të lexuesve, prandaj edhe publikimi i tyre. Për rrjedhojë autorët mbajnë përgjegjësi të plotë për sa u përket qëndrimeve rreth çështjeve të shtjelluara në fjalë.

Kategoritë
OPINIONEOpinione - Ballina

Të ngjajshmet