Lufta për ujë të pijshëm

Kriza e ujit, si kurrë më parë, ka kapluar shtetin e Indisë. Frika që ka kapluar shtetin i cili gëzoi një progres të jashtëzakonshëm ekonomik e industrial në dekadat e fundit, duket që i ka ndërgjegjësuar edhe elitat politike edhe të shteteve përreth. Lufta e tretë botërore, sikundër thonë shumë dokumentarë, do të mund të ndodh për shkak të ujit të pijshëm – shkruan Gazeta e Re.

Rreth 163 milionë njerëz në Indi nuk kanë qasje në ujë të pastër, përkatësisht ujë të pijes – thotë një raport i World Economic Forum (Organizatë e Pavarur Ndërkombëtare), artikull ky i publikuar në bashkëpunim me Thomson Reuters Foundation.

India, që ndodhet në krye të listave të shumta, në fusha të tjera, po përballet me një problem serioz, atë të ujit të pijshëm. Mijëra shoferë të cisternave të ujit, protestuan para pak ditësh kundër një vendimi që kufizonte qasjen e tyre në ujërat nëntokësore. Kjo protestë, shkaktoi një krizë uji.

Mjaft hotele u detyruan t’i mbyllnin dyert. Sarvanan Parthasarthy, pronar i një ujësjellësi në Jai deklaroi që “telefoni i tij nuk pushonte së rëni”. Një banor pranë ujësjellësit madje kërcënoi se do të bënte vetëvrasje, nëse ky nuk do ta urdhëronte një cisternë për t’i dërguar ujë.

India po përballet me njërën prej krizave më të rënda të ujit, në historinë e saj. Këtë e dokumenton raporti i qershorit i Institutit të Politikës Qeveritare NITI Aayog.

Rritja e vrullshme ekonomike e dekadave të fundit, po rrezikon jo vetëm mijëra e miliona familje indiane, por edhe biznese dhe ferma të ndyrshme.

WaterAid, në këtë vit, konstatoi që 163 milionë njerëz nga 1.3 miliardë, nuk kanë qasje në ujë të pastër e të pijshëm pranë shtëpive të tyre.

Një shqetësim të tillë e kanë ngritur prej kohësh edhe shkencëtarët. Për shkak të ndryshimeve demografike, përkatësisht për shkak të shtimit të popullsisë dhe ndryshimeve klimatike, bota është duke u kërcënuar nga një krizë e ujit të pastër. Ndër vendet e fuqishme, siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, problemit nuk i është gjetur një zgjidhje përfundimtare. Kalifornia përjetoi një krizë thatësie pak vite më parë, ndërsa qysh atëherë është debatuar në nivele të larta akademike se ç’solucione duhet gjetur për t’u përballur me një krizë tjetër të ujit. Jerry Shubel, një ekspert amerikan, citohet të ketë thënë se më shumë se “gjysma e popullsisë së botës jeton në zona me pakicë të ujit dhe sipas Kombeve të Bashkuara numri do të rritet me dy të tretat, deri në vitin 2025”.

Shumica e vendeve që posedojnë burime të mëdha të ujërave të pijes, aktualisht, janë duke u përballur me trazira politike. Afrika Veriore, Gadishulli Arabik dhe Azia Qendrore, Jugore dhe Jugperëndimore, renditen në këtë listë.

Siç dihet, pjesa më e madhe e sipërfaqes së tokës është e mbuluar me ujë, ndërsa vetëm 0,003% e kësaj sasie të përgjithshme, është në dispozicion për njerëzit. Praktikisht, të dhënat thonë se gati një e treta e popullsisë së botës, nuk ka qasje të mjaftueshme në burime të pijshme të ujit.

Kjo nuk ka të bëjë gjithsesi me rezervat natyrore të ujit, sepse Shqipëria që cilësohet si vendi i dytë me më së shumti rezerva në Evropë, nuk ka arritur ta zgjidh problemin me ujë të pijes, përkatësisht t’i plotësojë në tërësi kërkesat e banorëve të saj.

Në Kosovë, nuk është se janë bërë studime të mirëfillta, por një raport i publikuar në vitin 2015-të nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), thotë se 69.6% e popullsisë në Kosovë furnizohet me ujë “nëpërmjet sistemeve publike të menaxhuara nga kompanitë rajonale të ujit, kurse rreth 29% furnizohen me ujë nga sistemet që nuk menaxhohen nga KRU ose sistemet vetanake, ndërkohë që rreth 0.7% e popullatës nuk ka në dispozicion shërbimin e ujësjellësit”.

Shkencëtarë, anëtarë të organizatave joqeveritare në mbarë globin dhe institucione studimore, në mbarë globin, kanë bërë fushata intensive për vetëdijesim për sa i përket ruajtjes së ambientit, respektivisht burimeve të ujit. Edhe në Kosovë ka pasur mjaft aktivitete të tilla, por kontaminimi i burimeve të ujërave, lumenjve dhe liqeneve në dekadat e fundit, konsiderohet mjaft i lartë./Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet