Lufta për fronin e LDK-së

Nesër do të jetë një ditë “e nxehtë” për kryesinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK-së). Kjo parti pritet që ta finalizojë për mandatin e radhës, çështjen e të parit të këtij subjekti. Zgjedhjet e brendshme, me gjithë fërkimet e herë mbas hershme, janë cilësuar si të mira. Interesimi i opinionit publik duket mjaft i madh – shkruan Gazeta e Re.

Pas takimit të djeshëm të kryesisë, u spekulua që krerët e subjektit janë afër një kompromisi. Vjosa Osmani, aktualisht deputete nga radhët e kësaj partie, mund të propozohet për kandidaturën e kryeministres, ndërsa kryetari aktual i LDK-së – Isa Mustafa, të vijojë e ta kryej edhe më tej këtë detyrë.

Përkundër kësaj, ambiciet, disa nga pretendentët, i kanë shprehur krejt hapur. Ish kreu i kësaj partie, përkatësisht ish Presidenti i Republikës së Kosovës Fatmir Sejdiu, ka dalë krejt hapur, duke treguar për opinionin që do të jetë pjesë e kësaj gare. Përveç këtyre figurave, në media janë lakuar edhe dy emra të tjerë, mjaft të rëndësishëm: Lutfi Haziri dhe Agim Veliu, të dy kryetarë në dy komuna të rëndësishme të republikës.

Kush në të vërtetë janë këta kandidatë?

Natyrisht opinioni i njeh fare mirë, ndërsa fuqia elektorale e tyre, nuk kontestohet. Në faqen zyrtare të Komunës së Podujevës, të gjithë të interesuarit, mund ta lexojnë për pak sekonda biografinë e njërit prej kandidatëve – Agim Veliut. E gjithë karriera e tij përmblidhet me pak rreshta. Veliu, i cili është njëri prej themeluesve të degës së LDK-së në Podujevë, është lindur më 25. 07. 1960. Me studimet bazike i ka të kryera në fushën e jurispodencës, ndërsa nuk ka të dhëna për kryerjen e ndonjë niveli tjetër në këtë fushë studimesh. Në bazë të biografisë, del të jetë njohës i serbokroatishtes dhe gjuhës angleze.

Përvoja politike, megjithatë është më e pasur. Ka qenë Kryetar i Komunës së Podujevës për disa mandate, por edhe deputet në Parlamentin e Republikës së Kosovës, Ministër i Arsimit i Shkencës dhe Teknologjisë, si dhe Kryetar i Asociacionit të Komunave të Kosovës.

Por Veliu, përkundër background-it të tij të varfër, ka një mbështetje të fuqishme elektorale, pasi që ka arritur që ta ruaj për gjatë kohë zonën e Podujevës, si bastion i pathyeshëm i LDK-së.

Lutfi Haziri është me profesion biolog. Është i lindur në Gjilan, më 8 nëntor të vitit 1969. Aktivitetin e tij politik, sikurse Veliu, e ka filluar në vitet e nëntëdhjeta. Ishte pjesë edhe e strukturave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Zonën e Karadakut. Pas çlirimit, përveç postit të Kryetarit të Komunës së Gjilanit, ka ushtruar edhe disa detyra të rëndësishme në hierarkinë e shtetit. Ka qenë deputet, ministër si dhe zëvendëskryeministër. Bashkë me Agim Veliun, konsiderohen dy ndër figurat më të fuqishme, e më me ndikim në LDK.

Vjosa Osmani – është e lindur më 17. 05. 1982. Mbetet një ndër gratë më të votuara në Parlamentin e Republikës së Kosovës. Nga elektorati i LDK-së, ajo shihet si e ardhmja e këtij subjekti, ndërsa ka grumbulluar një numër mjaft të madh të mbështetësve. Ndryshe nga dy figurat e mësipërme, ajo ka një bagazh të pasur edukativ, e tashmë edhe një përvojë në poste të rëndësishme politike.

«Aktualisht është kryetare e Komisionit për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike. Në periudhën e katërt legjislative, ajo ka shërbyer si Kryetare e Komisionit për Integrime Evropiane dhe nënkryetare e Komisionit për Reforma Kushtetuese në Kosovë» – thuhet ndër të tjera në biografinë e saj.

Fatmir Sejdiu e Isa Mustafa, vijnë, para së gjithash, nga një botë akademike. Mustafa, edhe ashtu, është anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës. Bagazhi i tyre profesionalë, është mjaft i pasur.

Sejdiu është lindur në Pakashticë të Podujevës, më 23 tetor të vitit 1951. Përveç si profesor universitar, në karrierën politike ka mbajtur poste të rëndësishme, si ai i Presidentit të Republikës së Kosovës.

Mustafa, është bashkëkohanik i Sejdiut. Është lindur më 15 maj të vitit 1951, në Prapashticë të Komunës së Prishtinës. Të dy janë doktor shkencash në fushat e jurisprudencës, përkatësisht ekonomisë. Edhe Mustafa, karrierën politike e ka filluar shumë herët, në kohën e ish sistemit. Por pasluftës, postet më të rëndësishme të tij qenë ai i Kryetarit të Komunës së Prishtinës, dhe natyrisht, Kryeministrit të Republikës së Kosovës. Simpatia e elektoratit për këta të fundit, ka pasur amplitudat e saj. Meqë i takojnë një brezi që janë buzë mbylljes së karrierës, është pak e besueshme që mund ta çojnë në një nivel tjetër veprimtarinë politike.

Sidoqoftë, ditën e nesërme, mund të mësohen edhe emra të tjerë, mjaft të njohur për votuesit e LDK-së. Konkurrenca duket e fortë, prandaj edhe vëmendja e opinionit, është shtuar dukshëm këto ditë, rreth këtyre zhvillimeve. Duket që as kryesia nuk ka mundur të gjejë gjuhë të përbashkët, ashtu siç përflitej, rreth një kandidati konsensual. Sipas koha.net, Agim Veliu e ka përjashtuar një arritje të këtillë brenda kryesisë duke thënë se: «Nuk ka diçka konkrete», ndonëse nuk e ka mohuar që janë duke punuar në at drejtim. /Gazetaere.com/

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet