Lufta e Veselit kundër Thaçit

Njërës prej figurave më të rëndësishme politike të dala nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK-së), po provohet t’i shpërbëhet autoriteti që e gëzon brenda elektoratit të këtij subjekti, nga vet drejtuesit e saj. Hashim Thaçi, ndonëse aktualisht është president i vendit dhe ndonëse partinë të cilën ai vet e themeloi dikur ia ka lënë në dorë Kadri Veselit, vijon të jetë shumë popullor e të ketë ndikim të fuqishëm brenda saj. Por së fundi, kryetari aktual i PDK-së Veseli, po i kundërvihet hapur, ndërkohë që pasojat e kësaj përplasjeje, veç janë duke reflektuar në qeveri – shkruan Gazeta e Re.

Protesta e së shtunës e organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje, duket që i ka ç’akorduar raportet ndërmjet krerëve më të lartë institucional, të cilët nuk kanë mundur ta harmonizojnë një plan për t’iu kundërvënë asaj. Disa ministra, të cilët janë konsideruar si të afërm me Thaçin, meqë dikur kanë qenë nën urdhrat e tij, ende nuk dihet përfundimisht nëse do të zëvendësohen apo do të vazhdojnë të shërbejnë në këto institucione.

Zërat për dorëheqjen e Abelard Tahirit, ministër në Ministrinë e Drejtësisë në Republikën e Kosovës, i heshti vet kryetari i PDK-së Veseli.

“E kam takuar Abelard Tahirin, është nga ministrat që ka bërë punë shumë të guximshme e s’ka asnjë aferë korruptive” – tha ai në një prononcim përpara medieve, duke shtuar që “vendimmarrja do të jetë e imja, e PDK-së dhe jo e asnjë individi”.

Dje Komisioni Parlamentar për Punë të Brendshme dhe Mbikëqyrjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës, ka marr në pyetje ministrin Bejtush Gashi, ministër në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ku ndër të tjera është pyetur edhe rreth vizitës së papritur të Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, në Ujman. Gashi është përgjigjur thjesht që, agjendat e presidentit nuk përcaktohen nga ministria, ndërsa kjo e fundit e ka për detyrë që t’i përmbush “kërkesat e vizitës së tij, vizitë kjo e cila është përmbyllur pa tensione”.

Pikërisht për shkak të kësaj vizite, i pari i shtetit, mori kritika nga i pari i PDK-së, duke e cilësuar vizitën e tij në liqenin e Ujmanit, si të pavend. Për rrjedhojë, erdhën “kërcënimet” nga ministrat e afërt me presidentin, dorëheqjet e të cilëve mund ta çojnë qeverinë drejt një kapitullimi të papritur.

Sidoqoftë, duke i komentuar këto, Veseli, edhe njëherë ka thënë që dorëheqja e as zëvendësimi i tyre nuk është në agjendë.

“Si mund të jap dorëheqje një ministër që është i guximshëm, vendimmarrës, partner i bizneseve?” – ka pyetur Veseli në një takim të përbashkët me ministrat Bedri Hamza, e Besim Beqaj, emrat e të cilëve po ashtu janë përfolur në këtë aspekt.

Duke i cilësuar si dy udhëheqës më të pakorruptuar, Veseli ka hedhur poshtë pretendimet që Qeveria Haradinaj, partnere e së cilës është edhe PDK-ja, mund të pësojë ndryshime, pa dijeninë e tij.

Analistët politikë në vend, tërë këtë situatë janë duke e interpretuar si skenar të përgatitur nga Thaçi, i cili po e tregon forcën e tij karshi dy krerëve të lartë të shtetit, të cilët kohëve të fundit e kanë kritikuar dhe nuk e kanë mbështetur tërësisht në ato që nga opozita janë cilësuar si “aventura” të rrezikshme, siç janë ideja për shkëmbim të territoreve. Por këtyre tronditjeve, qeveria duket që u mbijetoi disi. Sot Ministri Tahiri, njëri ndër më të përfolurit për sa u përket ndryshimeve të mundshme në kabinetin qeveritarë, nëpërmjet një statusi në facebook, sikur ka lënë prapa gjithçka dhe ka folur për të ardhmen e tij në krye të këtij sektori:

“Kryefjala e angazhimit tim politik e institucional është fuqizimi i sundimit të ligjit dhe kontributi për një shtet dhe shoqëri moderne që udhëhiqet nga parimet më të ndritura të demokracisë dhe mundësive e trajtimit të barabartë për të gjithë. Sfidat janë evidente, mirëpo me përkushtim dhe dinamikë të shtuar do të shtojmë edhe rezultatet.”

Por, përkundër kësaj, atmosfera mbetet e tensionuar ndërsa këtë situatë janë duke bërë përpjekje që ta shfrytëzojnë subjektet opozitare, ndërsa po tregojnë hapur që janë duke u përgatitur për zgjedhje të parakohshme. Përveç Vetëvendosjes, këtë rrugë është duke e ndjekur edhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), udhëheqësit e së cilës kanë përsëritur që për të dalë nga kriza aktuale, vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme./Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet