Lokalet

Albinot Maloku

I erdh fundi maratonës njëmujore, respektivisht fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale të cilat do të mbahen në 38 komunat e Kosovës, me 22 tetor. Kandidatët vizituan fshatra e lagje të ndryshme të njësive komunale, të cilave u përkasin. Folën me votuesit, bashkëbiseduan e i panë edhe nevojat e hallet e secilës komunë. Tani i ngelet votuesit që ta shpreh “mendimin” e tij përmes votës, e paralelisht, me aktin e votimit, t’ia jap vetës të drejtën të jetë kërkues e kritikues i pushtetit të ardhshëm lokal.

Janë këto zgjedhjet lokale, të tretat për nga radha, që prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës, të cilat mbahen sipas orarit zgjedhor vendor. Si të tilla në asnjë mënyrë nuk mund t’i konsiderojmë historike, e aq më pak jetësore, por vetëm një proces në drejtim të konsolidimit të demokracisë në vend. Fushata zgjedhore e mbajtur prej 21 shtatorit e deri me 20 tetor për zgjedhjet lokale të 22 tetorit, dallon për nga forma, prej fushatave tjera zgjedhore. Ajo ishte e qetë, përjashto disa raste të kandidatëve komikë, të tjerët ishin të matur në premtime dhe çka është më kryesorja, qytetarët treguan dozë të mirë të kulturimit të tyre politik.

Këto zgjedhje lokale mund të kenë ndikimin e tyre edhe në rrjedhat e më tejme politike në vend, e të cilat janë jo të mira e që nuk garantojnë qëndrueshmëri të qeverisë aktuale. Mirëpo, nëse kandidatët mbajnë premtimet që u ndërlidhen drejtpërdrejt me interesin e nevojat e qytetarit, atëherë kjo do të bëhet edhe më e lehtë për perspektiven e vendit. Me siguri ajo çka rekomandohet në çdo palë zgjedhje, është edhe përmbushja e vetë misionit të procesit zgjedhor e që janë e është ndryshimi për të mirë.

Zgjedhjet lokale në Kosovë, gati të gjitha, pra duke përfshi edhe ato para shpalljes së pavarësisë edhe këto pas pavarësisë kanë filluar dhe janë mbyllur brenda mandatit të rregullt zgjedhor. Bazuar në këtë, zgjedhjeve lokale u shtohet rëndësia që qytetarët të tregojnë kujdes maksimal se kë do të votojnë e të mos ngelin të bllokuar për katër vite. Kryetari i Komunës nuk është treguar të jetë vetëm administrator e rregullues i mbarëvajtjes së jetës shoqërore e institucionale në komunë, e kjo për arsye se ai ose ajo, ka ditur të jetë edhe dominues. Dominuesi në asnjë moment nuk ka sjell përparim e prosperitet komunës, e as qytetarit. Kosova ka mjaftueshëm komuna sa për të parë, e sa për të bërë dallimet e llojit të kryetarit të komunës i cili ka marr votën e qytetarit dhe ka udhëhequr me komunën.

Për këto zgjedhje lokale nuk është e rëndësishme vetëm çfarë mazhorance do të zgjedhin qytetarët, por edhe çfarë opozite do të prodhohet pas procesit zgjedhor. Opozita në asnjë mënyrë nuk do të duhej të ishte pasqyrim i pozitës por e kundërta. Opozitat e dobëta kanë qenë hapësirë e mirë e manovrimit për pozitat keqpërdoruese në të gjitha komunat e Kosovës. Sipas një paragjykimi, opozita e mirë ka rrjedhur nga një pozitë e dënuar në ditën e zgjedhjeve, pra ajo pozitë e cila pas procesit zgjedhor ka shkuar në opozitë. Kjo lloj opozita ka ditur të jetë kontrollues, përcjellëse e kritikuese e mirë e pozitës së re.

Ajo çfarë ngelet për fund të kësaj analize javore është që qytetarëve t’u kërkohet që të votojnë, të shfrytëzojnë të drejtën e tyre që të jenë pas procesit zgjedhor të “patentuar” për të kritikuar nëse nuk shkojnë gjërat sipas premtimit të dhënë nga kandidatët. Urojmë që edhe procesi zgjedhor i 22 tetorit të jetë në frymën e kulturës së lartë politike të qytetarëve të Kosovës.

Kategoritë
ANALIZA JAVORE

Të ngjajshmet

  • Nëntori

    Albinot Maloku Thuhet se nëntori është muaj i shqiptarëve. Data e 28-të e këtij muaji, në vete ndërlidh disa momente historike, por ndër më të rëndësishmet mbetet Shpallja e...
  • Tribunali

    Albinot Maloku Dhjetori i këtij viti do të jetë muaj i cili do të përmbyllë punën gati tri dekadëshe të mekanizmit i cili u themelua për të ndjekur penalisht...
  • Zëvendësministrat

    Albinot Maloku  Ndonëse debatet rreth zgjedhjeve lokale nuk do të përfundojnë deri më 19 nëntor, kur edhe do të përmbyllet raundi i dytë, për komunat që kanë shkuar në...
  • Njohjet

    Albinot Maloku Diplomacia e Kosovës është sinonim i dështimit. Me gjasë, secili zyrtarë që është emëruar si Ministër i Jashtëm i Kosovës, këtë pozitë e ka perceptuar si prestigj...