Lojtarët dolën në diskotekë pas humbjes, jep dorëheqje trajneri i Sllovakisë

Ndryshim në stolin e kombëtares sllovake.

Jan Kozak ka vendosur të japë dorëheqjen, një ditë pasi skuadra e tij u mposht në sfidën përballë Republikës Çeke.

Ai ishte trajner i Sllovakisë për pesë vite dhe pas dorëheqjes doli në një konferencë për shtyp dhe tregoi arsyet pse vendosi të largohet, ndërsa zbuloi edhe një skandal të madh, të ndodhur me 7 prej lojtarëve të skuadrës.

“Mora vendimin të jap dorëheqjen nga zhgënjimi që pësova, kur mësova se shtatë nga lojtarët kishin dalë jashtë për të festuar, në mbrëmjen pas humbjes ndaj Republikës Çeke”, ka thënë Kozak. “Bëhet fjalë për Martin Dubravka, Michal Sull, Lubomir Satka, Norbert Gyomber, Milan Skriniar, Stanislav Lobotka dhe Vladimir Weiss”.

“Pasi pashë dy herë ritransmetimin e ndeshjes, për të kuptuar se ku kishim gabuar, vërejta se shtatë nga lojtarët kishin dalë jashtë”, zbuloi Kozak.

Më pas trajneri i Sllovakisë tregoi edhe ballafaqimin me lojtarët të nesërmen, por edhe arsyet që e shtynë të marrë vendimin, që për të mirën e kombëtares, të japë dorëheqjen.

“Të nesërmen i thirra bashkë me kapitenin Skrtel dhe zëvendës kapitenin, Hamsik dhe u përpoqa të kuptoj nëse e kishin kuptuar gabimin”.

“Vendosa të largohem pasi unë nuk mund të vijoja më punën me këta lojtarë, por e di mirë që Sllovakia nuk mund të përjashtojë emra të tillë”, theksoi ai.

Kategoritë
Sport

Të ngjajshmet