Loja me “dy letra” e kreut të PDK-së

Deklarata e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli para gazetarëve se pret që të kenë vendimmarrje në Kuvend dhe Qeveri, përndryshe hup kuptimi i vazhdimit të koalicionit dhe se opozita nuk mund të na rrëzojë, tingëllojë si një mesazh i fuqishëm edhe për partnerin e koalicionit të tij, pra LDK-në e edhe për opozitën. Dihet se janë Demarkacioni e Asociacioni temat më kryesore që Kuvendi e Qeveria është përballur gjatë kësaj garniture institucionale në vend e që presin zgjidhje.

Këtë mesazh të krye-parlamentarit Veseli, njohësit e çështjeve politike në vend, po e shohin si “loja me dy letra” dhe si shenjë e shpërfaqjes së pa-natyrshmërisë së koalicionit PDK-LDK që vazhdon ta drejtojë garniturën institucionale të vendit.

– Kadri Veseli po luan me “dy letra”. Me “letrën e koalicionit” dhe me “letrën e opozitës”. Kjo “lojë” e tij nuk mund të zgjasë shumë dhe nuk mund të jetë e suksesshme, ka thënë për Gazeta e Re, njohësi i çështjeve politike Bajrush Morina.

“Koalicioni PDK-LDK ka një marrëveshje të shkruar. Këtë marrëveshje nuk e ka nënshkrua Kadri Veseli sepse nuk ka qenë atëherë kryetar i Kuvendit” shpjegon Morina.

Tutje ai argumenton, “Në tekstin e Marrëveshjes është përmendur se kryetar i Kuvendit i takon PDK-së e që nënkupton Kadri Veselit”. Sipas tij, “Këtij të fundit i është mërzitur posti i kryetarit të Kuvendit, atëherë ka rrezik ose të mbetet edhe pa këtë post, ose të hyjë në aventura të reja zgjedhore të cilave nuk ua di rezultatin as Kadri Veseli e as PDK-ja. Sidoqoftë “diçka po zihet” mes partnerëve të koalicionit ndërkaq zgjedhjet duket se nuk janë larg”, deklaron Morina.

E sipas, analistit Haki Abazi, deklaratat e Veselit janë të njëjta me ato të bariut dhe ujkut.

Abazi për Gazeta e Re thotë se “Ky parlament dhe vet Veseli janë në deficit të plotë të legjitimitetit. Nuk është me rëndësi se kush do ta rrëzoj këtë koalicion sepse është e qartë që pjesa më e madhe e koalicionit sidomos PDK dhe Lista Srpska e kanë vet-sabotuar veten dhe Qeverinë”. Sipas tij “Kjo mund të ndodhë vetëm në një vend ku llogaridhënia është zero dhe përgjegjshmëria politike nuk ekziston në kuadër të normave të veprimit institucional”.

Profesori Fadil Maloku, koalicionin PDK-LDK nuk e sheh si koalicion të çështjeve parimore, por koalicion interesi.

Ky koalicion përkundër numrave që pretendohet se i ka, Maloku konstaton se “Ka dobësi të dukshme edhe si i tillë, nuk është i aftë ta qojë më tutje procesin apo sfidën e demarkacionit, por edhe këtë që është në horizont të asociacionit edhe të qarkullimit të lirë të qytetarëve që është një kushtëzim banal”.

Kujtojmë se kreu i Kuvendit, njëherit kryetari i PDK-së,  Kadri Veseli kohëve të fundit ka qenë mjaft aktiv edhe brenda partisë, e edhe në takime me qytetarë. Kjo gjë ka kulmuar në Konventën e PDK-së, kur ai u nominua si kandidat për kryeministër të Kosovës, e që ky angazhim i tij, është duke u parë si fanar paralajmërues edhe i zgjedhjeve të reja në vend. Po ashtu, as LDK nuk ka qëndruar e heshtur në gjithë këtë fushatë. Ata i kanë rikthyer në debat publik vrasjet e pazbardhura të pasluftës./Gazetaere.com

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e DitësVendi

Të ngjajshmet