Lloj-llojshmëria e listave zgjedhore për deputetë (Dokument)

Listat e kandidatëve për deputetë në Kuvendin e Kosovës janë bërë tashmë publike. Në mesin e tyre ka shumë emra të njohur për opinionin e gjerë. Aty ka ish-president, ministra, zëvendësministra, kryetarë e nënkryetar komunash, liderë të partive, gazetarë, aktorë, këngëtar e çka jo, transmeton Gazeta e Re.

Këto lista përbëhen nga 110 emra të kandidatëve që u nominuan nga partitë, e ndër ta shihet se mund të ketë ndërrime interesante të pozitave e detyrave. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se këta zyrtarë nuk do të mund të marrin prapë pozita të larta shtetërore. Nëse atyre u ofrohet ndonjë post tjetër, ata do të mund të zgjedhin se cilin do të mbajnë.

Dikur president i Kosovës, Behxhet Pacolli, tash gjendet i dyti në listën e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Nga radhët e subjektit të tij, në këtë listë, është edhe këngëtari Labinot Tahiri.

Partia Demokratike e Kosovës, katër ministra në detyrë, i ka nominuar për deputetë. Ministri i Punëve të Jashtme Enver Hoxhaj, Ministrja për Dialog Edita Tahiri, Ministri i Bujqësisë Memli Krasniqi si dhe Ministri i Arsimit Arsim Bajrami janë pjesë e listës.

Në po këtë listë ka edhe ish-kryetarë komunash siç është Isni Kilaj i Malishevës apo Smajl Latifi. Nuk janë të panjohur as emrat si nënkryetari i Kuvendit Xhavit Haliti, nënkryetari i PDK-së Hajredin Kuçi, lideri i Nismës për Kosovën Fatmir Limaj apo gazetarët Halil Matoshi e Milaim Zeka.

Ndërkaq, nga Lidhja Demokratike e Kosovës përveç zëvendëskryeministrit Ramiz Kelmendi në listën për deputetë ka gjithsej 7 ministra në detyrë, të cilët nëse votohen, do të ulen në karriget e Kuvendit të Kosovës.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit Kujtim Shala, Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani, Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Hikmete Bajrami, Ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës Haki Demolli, Ministri i Infrastrukturës Lutfi Zharku, Ministri i Punëve të Brendshme Skënder Hyseni, Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale Arban Abrashi, janë emrat e kandidatëve potencialë për deputetë të Kosovës nga LDK-ja.

Edhe zëvendësministrat Valon Murtezaj e Bajram Gecaj, pastaj këshilltari i Isa Mustafës Sokol Havolli, këshilltari i Ministrit Faton Peci, po ashtu renditen ndër emrat e radhitur në listë për deputetë.

Nga AKR-ja, emrat më të njohur që do të kandidojnë për deputetët janë kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri dhe nënkryetari i kësaj partie Korab Sejdiu.

E Vetëvendosje e cila në zgjedhje do të shkojë e vetme, përveç deputetëve që i kishte legjislaturën e kaluar, listës ia ka shtuar edhe përfaqësues të rinj. Dy aktorët e njohur Çun Lajçi dhe Adem Mikullovci që së fundi u bënë pjesë e kësaj partie, do të garojnë për ulëset e kuvendit.

Edhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti bashkë me nënkryetarin Dardan Sejdiu do të kandidojnë për deputetë.

Kujtojmë se zgjedhjet e 11 qershorit do të përcaktojnë emrat e 120 deputetëve që do t’i përfaqësojnë qytetarët e Kosovës në legjislaturën e VI-të të Kuvendit të Kosovës./Gazetaere.com/

 

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e DitësVendi

Të ngjajshmet