Lirohet Michel Platini, pasi del nga paraburgimi francezi e zbulon: Ja për çfarë më pyetën…

Në orët e para të mëngjesit të së mërkurës Michel Platini ka lënë dhomën e paraburgimit në një rajon policie në Paris të Francës.

Ish-presidenti i UEFA-s është marrë në pyetje nga hetuesit francezë kundër korrupsionit lidhur me favorizimin e mundshëm për organizimin e Kupës së Botës në Katar 2022.

Avokati i tij, William Bourdon tha se Platini është i pafajshëm dhe nuk ka asnjë akuzë ndaj tij, por ai është marrë në pyetje thjesht për arsye teknike.

Ish-mesfushori francez dhe tre herë fituesi i “Topit të Artë” gjithmonë ka mohuar çdo akuzë të bërë ndaj tij.

“Zgjati shumë, por duke parë numrin e pyetjeve nuk mund të ndodhte ndryshe”, tha Platini pasi doli nga ambientet e rajonit policor.

“Më kanë pyetur për 2016 Euro, Kupën e Botës në Rusi, PSG-në, FIFA-n”, vijoi më tej francezi, duke mos përmendur asnjë pyetje në lidhje me Botërorin Katar 2022, ku mendohet se ai ka marrë para për të favorizuar vendin nga Lindja e Mesme para konkurrentëve të tjerë.

Katari mundi ofertat nga SHBA, Australia, Koreja e Jugut dhe Japonia.

Kategoritë
Sport

Të ngjajshmet