Limaj: Ka sinjale se Serbia ka qenë e interesuar për të negociuar

Bashkëkryesuesi i Ekipit negociator të Kosovës, Fatmir Limaj thotë se heqja e taksës si kusht i vendosur nga Serbia për të vazhduar dialogun, do të duhej të vihet në shqyrtim për t’u pezulluar në momentin kur Beogradi zyrtar të pushojë arsyet përse është vendosur si e tillë.

Ai thotë se Kosova është gati të vazhdojë dialogun, por kjo varet edhe nga palët tjera.

 

Limaj: Ne jemi të gatshëm për të vazhduar dialogun

Tani për tani ne mendojmë që i kemi dërguar mesazhin tonë komunitetit ndërkombëtar që ne jemi gati. Ata duhet të punojnë me Serbinë që Serbia me qenë e gatshme për t’u ulur në tavolinë. Kurdo që Serbia është e gatshme me u ul në tavolinë, ne jemi të gatshëm për t’u ulur. Nuk varet vetëm nga ne, varet edhe nga palët tjera”, ka thënë Limaj.

Në intervistën 45/45, Limaj thotë se e kanë për obligim që çështja e të pagjeturve dhe të dhunuarve gjatë luftës, të jenë tema kryesore në bisedime, duke u zotuar se nuk do të ketë marrëveshje finale, pa u zbardhur fati i të pagjeturve dhe pa u hetuar rastet e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Sa i përket deklaratave të opozitës se ekipi negociator është ‘argat qeveritar’, Limaj thotë se ata janë argatë të vendit, derisa refuzimin e opozitës për të qenë pjesë e dialogut ai e sheh si politike.

 

Limaj: Bisedimet deri më tani janë bërë shkel e shko

Kthimi i shpinës nga përgjegjësia, e aq më keq me prit me shpresën që po gabon dikush tjetër, dhe po përfitojmë ne, kjo është e dëmshme për Kosovën. Dhe kjo është për t’ia bërë argatin individit. Përkundrazi mendoj, për herë të parë në Kosovë, pas shpalljes së pavarësisë ka një përpjekje serioze për t’i dhënë rolin e nevojshëm e që i takon me Kushtetutë Kuvendit të Kosovës. Një temë të tillë nacionale, siç janë bisedimet me Serbinë, në të kaluarën është biseduar shkel e shko, pa përgjegjësi, pa platformë, pa ide, pa transparencë dhe rezultatet e dini se çfarë i kemi pasur”, ka thënë ai.

Taksa, si pengesë e Serbisë për të vazhduar dialogun, Limaj thotë se do të duhej të vihet në shqyrtim për t’u pezulluar, në momentin kur Beogradi zyrtar të pushojë arsyet përse është vendosur si e tillë.

 

Limaj: Ka sinjale që Serbia është e interesuar për të negociuar

Taksa do të duhej të vihet në shqyrtim për të pezulluar, në momentin kur Serbia pushon arsyet përse e kemi vënë taksën. Ky ka qenë qëndrimi i Nismës dhe vazhdon të jetë edhe sot. Sinjale ka që Serbia ka qenë e interesuar për të negociuar, ka sinjale nga Bosnja Hercegovine për shembull, ju e dini që Bosnja pasaportën nuk e ka njohur të Kosovës, ka sinjale të tilla, por ne duhet të negociojmë për ato sinjale”, tha ai.

Limaj thotë se nuk duhet të kushtëzohet dialogu për shkak të tarifës së vendosur.

 

Limaj: Me njohjen e Kosovës, do të zgjidhen të gjitha problemet

Edhe për shkak të taksës duhet të bëhet dialogu, edhe për shkak të arsyeve që i përmendëm më herët. Ne kemi vështirësi në komunikimin Kosovë-Serbi, arsyet e mos-komunikimit si duhet është shkaku se Serbia nuk e njeh Republikën e Kosovës dhe është e vështirë të ndërtojmë marrëdhënie ekonomike, sociale, kulturore mes dy vendeve, ku ju nuk e njihni një vend. Prandaj, e vetmja formë që për t’i zgjidhur një herë e mirë problemet mes dy vendeve tona është një dialog serioz, i cili do të çojë deri në njohjen e Kosovës nga Serbia, dhe praktikisht me njohjen e Kosovës, do të zgjidhen të gjitha problemet”, tha Limaj.

Limaj thotë se pjesë e dialogut do të ishte mirë të ishin edhe opozita, për çka thotë se kanë kërkuar dhe kanë qenë insistues.  E, sa i përket kësaj, ai pret nga opozita të mos pengohen në udhëheqjen e bisedimeve me Serbinë.

Kategoritë
LajmeVendi

Të ngjajshmet