Limaj: Gjithçka nis nga pika zero për dialogun

Delegacioni shtetëror për dialogun me Serbinë vlerëson se kanë marrë pak dokumente nga presidenti Hashim Thaçi, që lidhen me procesin e deritanishëm negociator në Bruksel.

Kryesuesit e ekipit negociator, Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti, pas takimit që patën me presidentin Thaçi, thanë se qëllimi i këtij takimi ka qenë të marrin gjithë dokumentacionin dhe raportin që ka presidenca në bisedimet me Serbinë.

Ndërsa me marrjen e këtij dokumentacioni, Limaj ka thënë se delegacioni praktikisht duhet të fillojë nga pika zero për prodhimin e dokumenteve.

 

“Delegacioni shtetëror duhet të fillojë pothuajse nga zero për të filluar ndërtimin e bashkëbisedimit të temave që u përmendën dhe temave tjera që ne besoj se do t’i futim. Ne aktualisht duhet të fillojmë t’i prodhojmë dokumentet… Nuk kemi marrë shumë dokumente me thënë të drejtën, siç e thamë çdo gjë duhet të fillojë nga zero për të përgatitur qëndrimin e Republikës të Kosovës dhe, ajo do të bëhet përmes platformës që do ta paraqes delegacioni dhe do të votohet në Parlament”, tha ai.

Kurse bashkëkryesuesi i delegacionit shtetëror, Shpend Ahmeti ka thënë se sot presidenti u ka dorëzuar një raport të përditësuar, i cili thotë “Për delegacionin shtetëror mbi fazën përfundimtare të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dh Serbisë”.

Teksa ka potencuar dy gjëra, të cilat sipas tij, janë më të rëndësishme nga takimi i sotëm.

 

“Ky është një raport i Presidencës për delegacionin shtetëror. Pra, nuk është dokumentacion i cili është dakorduar apo është diskutuar me Brukselin, pra na është raportuar mbi temat në të cilat janë diskutuar. Nuk është transkriptim i takimeve të cilat i ka pasur z.Thaci atje, por është një raportim i ekipit të z.Thaci  për tema të ndryshme të cilat janë hapur në Bruksel si pjesë e fazës përfundimtare… Edhe në raport shkruan, po e konfirmoj edhe sot në takim presidenti Thaçi tha nuk ka asnjë draft zyrtar të dakorduar qoftë me Brukselin, qoftë me Republikën e Serbisë. Nuk ka draft marrëveshje apo tekst sipas presidencës në këtë çështje. Kjo tashmë është burimi i dytë që na u ka konfirmuar, sepse njëjtë na u tha në Bruksel në takim me z.Mogherini, sot na u tha njëjtë edhe nga Presidenca”, u shpreh Ahmeti.

Ahmeti bëri të ditur se në këto tema, figurojnë temat sikurse të zhdukurit, të zhvendosurit, trashëgimia kulturore, pronat në të dyja shtetet, të drejtat e minoriteteve.

Sipas Limajt dhe Ahmetit, nuk ka marrëveshje që është nënshkruar deri më tash dhe besojnë se asgjë nuk po iu mbahet fshehtë.

Kategoritë
Vendi

Të ngjajshmet