Ligji për Pagat dhe revolta e heshtur, por kërcënuese e qytetarëve

Shumë sindikata të punëtorëve në sektorin publik, kanë shprehur pakënaqësitë e tyre menjëherë pas miratimit të Ligjit për Pagat. Kërcënimet ende nuk janë artikuluar në veprime konkrete por, ato janë një rrezik potencial – thonë analistët. Për më shumë, heshtja e punëtorëve në sektorin privat, është edhe më e frikshme – shkruan Gazeta e Re.

Disa “pazare” që u bënë në seancën e mesnatës së të shtunës, lan përshtypjen që deputetët preokupoheshin vetëm për ato grupe punëtorësh që kishin intervenuar drejtpërdrejt te ta. Ngritja dhe zbritja e koeficienteve, vazhdoi edhe gjatë seancës, ndërsa ligji merrte miratimin duke u shqyrtuar, fillimisht, amendament pas amendamenti, për ta marrë pëlqimin si i tëri krejt në fund. Se pakënaqësitë do të ishin të pranishme edhe pas miratimit të këtij ligji shumë të diskutueshëm, e kishte paralajmëruar edhe vet Kryeministri Ramush Haradinaj. Por ndërkohë që është çuar mjaft pluhur rreth tij, pakkush ka diskutuar rreth fatit të punëtorëve në sektorin privat. Ligji për Pagat, ka shkaktuar një hendek të jashtëzakonshëm ndërmjet punëtorëve, duke bërë që dallimet në aspektin e pagave dhe honorareve, të jenë tepër të mëdha.

“Greva e disa sektorëve dhe institucioneve publike si ai arsimor, ishte një grevë e arsyeshme, duke marrë parasysh kushtet dhe vështirësitë që kanë arsimtarët në punën e tyre. Por nga ana tjetër mesatarja e rrogave në sektorin privat lë shumë për të dëshiruar, duke qenë që janë më të ulëtat në rajon” – vuri në dukje sociologu Valter Nasufi.

“Kjo tregon se është krijuar një hendek i madh midis privatit dhe publikut. Nëse vetëm rrogat e sektorit publik rriten, ndërkohë që për sektorin privat nuk ndërmerret asgjë, sakaq, punëtorët nga ana tjetër nuk mund t’i kërkojnë dot të drejtat e tyre dhe ngrihen ashtu siç bëri sektori publik, kjo do të jetë e rrezikshme. Në radhë të parë sepse sindikatat nuk funksionojnë fare, d.m.th nuk ka përfaqësim për punonjësit në sektorin privat. Po të ishin këto atëherë do të kishte shpresë. Nëpër vendet e tjera të zhvilluara, gjithmonë sindikatat luajnë rolin e ruajtësve të ekuilibrit në mes shtetit – privatit dhe punëtorëve, duke i mbrojtur të drejtat këtyre të fundit. Mungesa e kësaj hallke shumë të rëndësishme bënë që punëtori të kthehet në vegël pune dhe në numër, duke zhvlerësuar në total punën e tij. Për pasojë punëtori sot është kthyer në një skllav modern. Prandaj greva tek ata nuk shihet dhe mund të kemi një përplasje. Sepse, gjendja ekonomike dhe numri i madh i papunësisë bën që pronarët e firmave dhe kompanive të ndryshme të mos jenë të kërcënuar. Por ai që ndjehet i kërcënuar është punëtori dhe në fakt çdo ditë mbi të bëhet presion psikologjik. Duke iu thënë se ata nuk janë të pazëvendësueshëm dhe se ka shumë njerëz të tjerë të pa punë që presin në radhë për vendin e punës tyre. Këto edhe të tjera shkaqe bëjnë që pabarazia të shtohet. Por në këtë rast shteti duhet të marri masa dhe të rris minimumin e pagës mesatare, në mënyrë që të detyroj privatin për ngritje të rrogës. Pra t’u vë një çmim “dysheve” për rrogat që të paktën të mos ketë një diferencë të madhe. Kjo, sepse atëherë njerëzit nuk do të ngarendin vetëm në shtet për t’u punësuar por edhe të privati. E gjitha kjo kërkon një vullnet politik që do t’i ulte të gjitha palët në tavolinë, si hap i parë, çka në fakt kërkojnë nismat e tilla.”

Megjithatë, për vet kryeministrin kjo diferencë e thellë ndërmjet sektorëve, nuk e ka brengosur aspak atë, përkundrazi ai është shprehur i ngazëllyer pas miratimit të ligjit:

“Ditë historike për punonjësit në sektorin publik. Sot për herë të parë Kosova u bë me ligjin e pagave, që vendosë rregull në sistemin e pagave dhe rreth 70 për qind të punonjësve në sektorin publik po e përjetojnë rritjen më të madhe të pagave të tyre”.

Pikërisht, sipas disa përllogaritjeve, nga buxheti i shtetit do të shpenzohen mbi 700 milionë euro paga, mbi 600 milionë euro skema… siç e vuri në dukje deputeti Lumir Abdixhiku:“Nga Buxheti 1.9 miliardësh, plot 1.4 miliardë euro për paga e skema në vit.”Në gjithë këtë plojë, për kritikët e këtij ligji, më shqetësuese është se pjesa tjetër e shpenzuar për projekte, përkatësisht shpenzime kapitale, nuk garanton kurrfarë gjenerimi të të ardhurave./Gazetaere.com/

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e Ditës

Të ngjajshmet