Ligji për Lirinë Fetare në Kosovë (s’)është kusht për anëtarësim në UNESCO

Kuvendi ka miratuar dje në parim plotësim-ndryshimin e Ligjit për Lirinë Fetare në Kosovë. Ky miratim është bërë pas një diskutimi të gjatë mes pozitës dhe opozitës. Gjatë prezantimit të plotësim-ndryshimit të këtij ligji, Kryeministri i vendit Ramush Haradinaj, tha se Kosovës i nevojitet avancimi i kornizës ligjore që rregullon statusin juridik të bashkësive fetare, pozitën e tyre juridike dhe fondet e tyre, shkruan Gazeta e Re.

Ndër të tjera, Kryeministri Haradinaj gjatë këtij prezentimi tha se ndryshimi i Ligjit për Lirinë Fetare është i nevojshëm për anëtarësim të Kosovës në UNESCO.

“Paraqes Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 02/L-31për Lirinë Fetare në Kosovë, e cila është miratuar nga Qeveria e Kosovës. Nevoja për nxjerrjen e këtij Projektligji konsiston në rregullim e bashkësive fetare në Kosovë, pozitën e tyre juridike dhe fondet e tyre. Me ligjin në fuqi njihen pesë bashkësi fetare në Kosovë, BIK, Kisha ortodokse Serbe, Kisha katolike, Bashkësia e besimit hebre dhe Kisha protestante. Në projektligj është shtuar edhe bashkësia e tarikateve të Kosovës.  Ky projektligj është bazuar në Konventën Ndërkombëtare dhe në Komisionin e Venedikut. Janë dy ligje që i aftësojnë kriteret  e Kosovës për Anëtarësim në UNESCO”, ka thënë kryeministri Haradinaj.

Njohësit e çështjeve poltike në vend kanë mendime të ndryshme rreth kritereve që duhet të plotësojë Kosova për anëtarësim në UNESCO. Disa prej tyre mendojnë se ndryshimi i Ligjit për Lirinë Fetare nuk mund të jetë kusht për anëtarësim në UNESCO, pasi që me të njëjtin ligj Kosova ka aplikuar vitin e kaluar për anëtarësim në këtë organizatë. Ndërsa, disa të tjerë mendojnë se ky ligj është i nevojëshëm për anëtarësimin e Kosovës në organizatën në fjalë.

“Krejt çka po tenton të bëjë kryeministri Haradinaj është përpjekje për të arsyetuar mungesën e rezultateve në procesin e integrimit të Kosovës në organizmat e BE-së e ato ndërkombëtare. Kosova nuk e ka luksin që sa herë të ndërrohet kryeministri të ndërrohen edhe ligjet. Sa herë që vjen një kryeministër i ri të ndërrohet edhe strategjia e integrimit dhe e avancimit të shtetit tonë në mekanizmat ndërkombëtar. Kosova nuk është pronë as e Hashimit as e Isës as e Ramushit”, ka thënë për Gazetën e Re analisti Bajrush Morina.

Sipas tij mungesa e një strategjie për pranimin e Kosovës në këtë organizatë nuk është arsye për të ndryshuar ligjin mbi fetë.

“Kosova është e jona, e imja e jotja e atyre e këtyre. Janë kryeministrat ata që po “sillen poshtë e lartë” me paratë e shtetit dhe që po pengojnë integrimin e vendit tonë. Mungesa e një strategjie për pranim në UNESCO nuk është arsye për të ndryshuar ligjin mbi fetë. Ne edhe me këtë ligj kemi aplikuar vitin e kaluar por nuk arritëm t’i sigurojmë të gjitha votat. Çka tash të bëjmë një ligj të veçantë për trashëgiminë ortodokse serbe e që pastaj të pranohemi në UNESCO si shtet me dy trashëgimi kulturore e me disa përkatësi fetare? Jo kjo është absurde. Ramushit i ka humb rruga në oborr”, është shprehur Morina.

Ndryshe mendon njohësi i çështjeve politike Blerim Burjani. Ai thotë se me të vërtetë Ligji për Lirinë Fetare në Kosovë ndërlidhet me UNESCO-n.

“Janë komente të Këshillit të Evorpës, Kmisionit të Venedikut në këtë temë, janë edhe rekomandimet e tyre, pra duhet të përfillen rekomandimet e KE-së. Është e saktë se ky ligj ndërlidhet me UNESCO, por që duhet riparohet ky ligj bazuar në rekomandimet e bëra”, ka deklauar Burjani.

Kujtojmë që, gjatë diskutimit të këtij plotësim-ndryshimi, ish-Ministri i Kulturës, tani deputet nga radhët e LDK-së, Kujtim Shala tha se UNESCO nuk ka kushte të tilla dhe se nuk ka kërkuar nga Kosova që të miratohet Ligji për Liritë Fetare, sepse sipas tij, kjo organizatë nuk paraqet standarde të tilla./Yllnorë Shala/Gazetaere.com/

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreTema e DitësVendi

Të ngjajshmet